Banka Botërore ka njoftuar të martën se do të ofrojë një fond fillestar prej 12 miliardë dollarësh, që do të shkojë në ndihmë të vendeve që po luftojnë me përhapjen e koronavirusit të ri.
Paketa e urgjencës përfshin kredi me kosto të ulët, grante dhe asistencë teknike.
Presidenti i Bankës Botërore David Malpass tha se ka ende “shumë të panjohura” në lidhje me virusin që përhapet me shpejtësi dhe ndihma që mund të kërkohet mund të jetë “shumë më tepër”, por ai nuk pranoi të japë detaje.
Malpass u bëri thirrje vendeve që të koordinojnë veprimet e tyre në nivel rajonal dhe ndërkombëtar, duke thënë se shpejtësia dhe gjerësia e përgjigjes do të ishin kritike për të shpëtuar jetë.
“Ne po njoftojmë sot një paketë fillestare të mbështetjes së menjëhershme që do të vërë në dispozicion deri në 12 miliardë dollarë për t’iu përgjigjur kërkesave të vendeve për financimin e krizave të nevojave të tyre të menjëhershme dhe gjithashtu për të zvogëluar ndikimet tragjike të krizës.
Çështja është të lëvizësh shpejt. Shpejtësia është e nevojshme për të shpëtuar jetë”– tha Malpass gjatë një telekonference me gazetarët, citon BW.
Shoqata Ndërkombëtare e Zhvillimit e Bankës, e cila ndihmon vendet më të varfëra në botë, gjithashtu mund të marrë fonde shtesë në tremujorin e dytë të vitit 2020, nëse do të ketë urgjencë pandemike.
Banka Botërore tha që 12 miliardë dollarë në grante, kredi dhe kredi me interes të ulët do të ndihmojnë vendet në zhvillim të ofrojnë një akses më të mirë në shërbimet shëndetësore, forcimin e mbikëqyrjes së sëmundjeve dhe forcimin e ndërhyrjeve të shëndetit publik, si dhe të punojnë me sektorin privat për të zvogëluar ndikimin në ekonomi.
Malpass paralajmëroi vendet kundër marrjes së masave që do të kufizonin më tej tregtinë.