Vendosni fjalën kyçe....

Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Anti-KÇK-ja është jo-kushtetues, krijon mbivendosje


Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka reaguar një ditë para votimit në Kuvend të aktit normativ të quajtur “Anti-KÇK”.

Në gjetjet e KShH-së thuhet se ky akt anashkalon kuadrin kushtetues, cenon parimin ndarjes së pushteteve dhe liritë dhe të drejtat e njërit.  

Me shqetësim, tërheqim vëmendjen e Kuvendit të Shqipërisë, se Akti Normativ anashkalon kuadrin kushtetues të vendit, cenon parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, cenon të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, përfshirë lirinë e lëvizjes dhe të drejtën për proces të rregullt gjyqësor, dobëson pavarësinë ligjore dhe efektive të Prokurorisë dhe mund të dëmtojë luftën kundër krimit të organizuar, për shkak se veprimet e ndërmarra nga Operacioni Forca e Ligjit (OFL) si strukturë e ekzekutivit, në disa raste edhe me efekt të menjëhershëm sipas këtij akti, mund të rrëzohen më vonë nga gjykatat si veprime jo në përputhje me standardet kushtetuese dhe të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut”-thuhet në njoftimin e KShH-së.

Më tej, KShH, thekson se ky akt normativ mund të sjellë dhënie të vendimeve penalizuese në Strasburg.

Akti normativ, nëse miratohet nga Kuvendi, mund të sjellë dhënien e vendimeve penalizuese nga Gjykata e Strasburgut, në favor të individëve që i nënshtrohen masave kufizuese dhe që mund ti drejtohen kësaj gjykate në të ardhmen. Në oponencën tonë ligjore, analizohen ndër të tjerash, disa vendime të Gjykatës së Strasburgut, ku ndër më të rëndësishmit është vendimi unanim i Dhomës së Madhe të kësaj gjykate, De Thommaso, ku shteti Italian është penalizuar për shkak të cenimit të të drejtës së lëvizjes dhe të drejtës për proces të rregullt, si rezultat i zbatimit të një kuadri ligjor jo të qartë dhe të paparashikueshëm nga individët, për masat parandaluese në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar. Paqartësi dhe mangësi të ngjashme vërehen në dispozita të caktuara të aktit normativ me fuqinë e ligjit (të analizuara në oponencën ligjore)”-thotë KShH.

Gjithashtu, Komiteti, vëren se ky akt normativ ngarkon edhe punën e SPAK dhe Gjykatën e Posaçme me kompetenca në tejkalim të atyre kushtetuese.

Akti normativ mbingarkon SPAK dhe Gjykatën e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar me kompetenca në tejkalim të atyre kushtetuese, ndërkohë që këto institucione po përballen aktualisht me një numër voluminoz dosjesh të mbartura nga organet e mëparshme të drejtësisë.

Ky aspekt si dhe përfshirja e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme në Komitetin Kombëtar të Koordinimit për Parandalimin dhe Luftën kundër Krimit të Organizuar vlerësojmë se do të ndikojë në dobësimin e efektshmërisë së këtyre organeve të specializuara, të cilat duhet të kenë në fokus të veçantë të veprimtarisë së tyre, ndër të tjerash, hetimin dhe ndëshkimin veprave penale të kryera nga zyrtarë apo ish zyrtarë të nivelit të lartë. Vlen të theksojmë se, pandëshkueshmëria e zyrtarëve të nivelit të lartë ka qenë ndër arsyet kryesore të reformimit të sistemit të drejtësisë”-thuhet në përfundim të njoftimit të Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Postimi i plotë:


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *