Një nxënës pak më herët tha se gjatë pushimit të madh, mësuesit i kishin vënë në rresht dhe i kishin thënë se u kishin bërë një lojë për të parë se si reagojnë ata në situata të ngjashme dhe nëse do të panikohen.
“Ishim në pushim të gjatë, erdhëm në oborr kur sapo hymë në shkollë i pamë të tjerët që të dilnin të shqetësuar. Na thanë që është alarm fals, nuk na lanë të hyjmë brenda, na thanë që ishte një stërvitje se si do reagonim ne në raste emergjente.”, ishin fjalët e nxënësit.
Kjo deklarata shkaktoi shumë konfuzion, por më në fund drejtoresha e shkollës “Janaq Kilica” Firiniqi Fuli dha sqarime në një prononcim me telefon për televizionin “News 24”.
Drejtoresha e gjimnazit pranoi se u kishin thënë kështu nxënësve, për të mos përhapur panik për situatën vërtet shqetësuese që po ndodhte në shkollë, pasi ata ishin shumë të shqetësuar dhe nuk donin që ata ta përjetonin keq helmimin e shokëve.
“Ne në radhë të parë kemi hallin e shëndetit të fëmijëve. Situata është menaxhuar në mënyrë perfekte nga stafi mësimor. E bëmë me qëllimin e mirë që të mos përhapnim panik. Sepse ata janë të gjithë të shqetësuar. Nuk do zgjidhim se çfarë thonë gazetarët. Kemi hallin e fëmijëve.”– tha drejtoresha.
Ajo sqaroi se edhe në rastin e javës së kaluar, nuk kishte ndodhur një eksperiment në laboratorin e kimisë që kishte shkuar keq, por se një nxënës kishte hedhur një sprajt. Ajo tha se e kanë mbrojtur duke mos folur për këtë për shkak të moshës së re. Ndërkohë për këtë rast drejtoresha tha se përsëri është hedhur një lëndë por nuk mund të thotë nëse përgjegjës për këtë është i njëjti nxënës.