Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu në mbledhjen e sotme të Task Forcës, ka zbuluar rezultatet e analizave të 6 pacientëve që dyshohej se kishin koronavirus.
Fatmirësisht rezultatet ishin negative, duke konfirmuar edhe njëherë se në vend nuk ka ende asnjë të sëmurë me virusin Covid – 19.
“Dje bëmë 6 testime për rastet e dyshuara dhe ato kanë rezultuar negative”– tha Manastirliu.
“Shqipëria deri më tani nuk ka rast të konfirmuar me koronavirusin e ri edhe pse në vende fqinjë kemi konfirmime të rasteve të reja, Maqedonia ka një rast të izoluar, kurse Kosova, Mali, i Zi, Serbia, Turqia, ende nuk kanë raste të konfirmuar”– shtoi ajo.
Ministrja sqaroi se në vendin tonë janë realizuar gjithsej 42 testime, të cilat kanë rezultuar negative. Sipas saj po bëhet një punë voluminoze e intensive në pikat kufitare për të kontrolluar çdo udhëtar.