Një nxënëse e gjimnazit “Janaq Kilica” në Fier u dërgua mëngjesin e sotëm me urgjencë në spital, pasi nuk u ndje mirë në ambientet e shkollës, ku një ditë më parë u hodh një lëndë helmuese.
E tanimë një video po bën xhiron në rrjet pas këtij incidenti, ku Drejtorja e zyrës Arsimore në Fier, Yllka Beci thotë se arsyeja pse vajza ishte ndjerë keq lidhej me një shtatzëni.
Në përpjekje për të qetësuar prindërit e shqetësuar për gjendjen e fëmijëve të tyre, Beci u tha se nxënësja e sëmurë ishte shtatzënë.
“A mund të të them diçka si nënë dhe si grua pa kamera? Okej me kamera do ta them. Se vajza është shtatzënë, pati probleme dhe e nisëm në spital. Po është shtatzënë.“- tha Beci dhe u largua.
Pasi kanë parë një ambulancë në ambientet e shkollës, prindërit e shqetësuar kanë nxituar atje të shqetësuar për gjendjen e fëmijëve të tyre. Atje u krijua një situatë mjaft e tensionuar, me prindërit që ankoheshin se po u mbahej i fshehur informacioni për situatën aktuale, ndërsa akuzojnë institucionet arsimore pse kanë urdhëruar rinisjen e mësimit në një kohë kur ende nuk ka një përgjigje përfundimtare të analizave për sigurinë në shkollë.
Prindërit e vajzës që u dërgua sot në spital, sipas televizionit “Ora News” e kanë mohuar se e bija e tyre është shtatzënë. Edhe nëse është e vërtetë, një deklaratë e tillë publikisht, shkel edhe privatësinë e vajzës së mitur.
Kjo nuk do ishte hera e parë që institucionet e arsimit në Fier gënjejnë lidhur me situatën, pasi edhe dje ndodhi e njëjta gjë. Ditën e djeshme një nxënës zbuloi se gjatë pushimit të madh, mësuesit i kishin vënë në rresht dhe i kishin thënë se u kishin bërë një lojë për të parë se si reagojnë ata në situata të ngjashme dhe nëse do të panikohen. Por se ata nuk kishin arsye pse të shqetësoheshin.
“Ishim në pushim të gjatë, erdhëm në oborr kur sapo hymë në shkollë i pamë të tjerët që të dilnin të shqetësuar. Na thanë që është alarm fals, nuk na lanë të hyjmë brenda, na thanë që ishte një stërvitje se si do reagonim ne në raste emergjente.”, ishin fjalët e nxënësit.
Kjo deklaratë shkaktoi shumë konfuzion, por më në fund drejtoresha e shkollës “Janaq Kilica” Firiniqi Fuli dha sqarime në një prononcim me telefon për televizionin “News 24”.
Ajo pranoi se u kishin thënë kështu nxënësve, për të mos përhapur panik për situatën vërtet shqetësuese që po ndodhte në shkollë, pasi ata ishin shumë të shqetësuar dhe nuk donin që nxënësit ta përjetonin keq helmimin e shokëve.
“Ne në radhë të parë kemi hallin e shëndetit të fëmijëve. Situata është menaxhuar në mënyrë perfekte nga stafi mësimor. E bëmë me qëllimin e mirë që të mos përhapnim panik. Sepse ata janë të gjithë të shqetësuar. Nuk do zgjidhim se çfarë thonë gazetarët. Kemi hallin e fëmijëve.”– tha dje drejtoresha./Hashtag.al