Ndërkohë që në Fier sot vijon të jetë një situatë e tensionuar, ministrja e Arsimit Besa Shahini tha sot në parlament se ngjarja është politizuar.
Ndërsa replikonte në seancë plenare me deputetin Andi Përmeti, lidhur me ngjarjet e fundit me shkollat në Fier, Shahini tha se eksponentë të frikësuar nga lufta Anti-KÇK u munduan të politizonin çështjen.
“Fieri na shqetësoi të gjithëve, është bërë pre e një beteje politike pa bazë. Lufta anti-KÇK i kishte nxitur aty një pjesë të madhe të vinin para shkollës, e më tej te spitali të politizonin një çështje që nuk ka fare lidhje. Ne do merremi me nxënësit, duke orientuar prindër e mësues që këto veprime janë të paligjshme po edhe organet e drejtësisë do merren me të gjithë ata që e politizuan këtë çështje.”- u shpreh Shahini.
Ditën e djeshme, 58 nxënës dhe 2 mësues të gjimnazit “Janaq Kilica” u dërguan në spital me shenja helmimi, pasi një lëndë ishte hedhur në ambientet e shkollës. Lidhur me ngjarjen, policia ka ndaluar dy nxënës 15-vjeçarë.