Vendosni fjalën kyçe....

“Për të shmangur çdo interpretim dashakeq” – Meta publikon letrën që i ka nisur Komisionerit për Zgjerim


Presidenti Meta ka publikuar letrën në anglisht që i ka dërguar Komisionerit për Zgjerim, Varhelyi.

Kreu i shtetit shkruan në Facebook, se po e publikon letrën për të shmangur çdo keqkuptim pas publikimit në një televizion të një letre, që sipas mazhorancës ishte letra që i ishte dërguar komisionerit.

‘Meqënëse burime nga mazhoranca kanë servirur për një televizion, letrën zyrtare të Presidentit të Republikës Sh.T.Z Ilir Meta drejtuar Komisionerit për Zgjerimin, për të krijuar keqkuptime, po detyrohemi ta publikojmë të plotë për të shmangur çdo interpretim dashakeq.’ – shkruan Meta.

Po çfarë shkruhet në letrën e publikuar nga Meta?

Në fillim të saj, Meta vlerëson përfshirjen dhe përpjekjet e Varhelyit për integrimin e Shqipërisë në BE duke shprehur shpresën që vendet anëtare do i çelin negociatat duke mbështetur rekomandimin e komisionerit.

Meta thekson keqardhjen e tij për qëndrimin e Komisionerit për Zgjerimin lidhur me çështjen e Gjykatës Kushtetuese. Meta citon deklaratën e Varhelyit se ‘ka një përplasje për një nga gjyqtarët e Kushtetueses të emëruar së fundmi për shkak të interpretimit të ndryshëm të procedurës së emërimit nga presidenti’.

Meta bën me dije në letër se përplasja nuk është për shkak të këtij interpretimi të presidentit por për shkak të interpretimit të mazhorancës socialiste që kërkon të kapë Gjykatën Kushtetuese, gjë që do e thellonte edhe më shumë krizën në vend.

Meta thekson gjithashtu se ka vepruar në mbrojtje të Kushtetutës dhe sipas rekomandimeve të Venecias duke qenë transparent me delegacionin e BE-së dhe vendet anëtare të BE-së.

Meta e mbyll letrën drejtuar Varhelyit me thënien se çdo mbështetje e gërryerjes së mëtejshme të demokracisë dhe sundimit të ligjit në Shqipëri do e thellojë edhe më shumë krizën dhe do nxisë shpopullimin e vendit.

Kreu i shtetit thekson gjithashtu se do mbrojë me çdo kush Kushtetutën dhe integritetin e Gjykatës Kushtetuese.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *