Ka rinisur prishja e disa objekteve në zonën e “Astirit” në Tiranë. Policia e Shtetit ka devijuar trafikun në zonë për të garantuar mbarëvatjen e aksionit të IKMT.
Trafiku është devijuar nga rrethrrotullimi i Astirit deri tek ish-sheshi Shqiponja, ndërkohë që automjetet kalojnë në rrugën që lidh zonën e Astirit me Mëzezin.
Aksioni po bëhet për shembjen e 25-30 objekteve, ku përfshihen dyqane dhe banesave.
Forca të shumta policie në Astir kanë mbërritur që prej orës 06:30 ndërsa banorët kishin dalë në rrugë përpara tyre duke i pritur ata me protestë.
“Unë jam dy kurora aty, ku të shkoj të ma gjejë. Kanë ardhur pas asnjë dokument dhe asnjë rrugëzgjidhje. Edhe serbi nuk ia ka bërë kosovarit siç po ma bën shteti im këtu. Ne e kemi bërë këtë vend, e kam gjetur moçal kur kam ardhur në fillim, kam 27 vjet këtu. Jam në proces legalizimi, kam të gjitha letrat e tokës, më thotë e ke banesën pa leje, pse s’ma bërë legalizimin si shtet që je. Unë për Zotin do hipi atje lart. Për biznesin s’po pyes por për shtëpinë se e kam ndërtuar me gjak. Kam paguar të gjitha faturat dhe taksat tash 25 vjet. Pse më sjell fatura kur s’jam e rregullt, pse më la të ndërtoj? Nuk është në rrugë shtëpia ime të betohem, jam 30 metra larg rrugës, duan të ma prishin si objekt që ta marrin për vete”, tha pronarja e një banese tre katëshe për Fax News.
Në mbështetje të banorëve ka shkuar edhe ish-deputeti Klevis Balliu.