Vendosni fjalën kyçe....

Tre herë resht probleme me shëndetin e nxënësve në shkollën Janaq Kilica, Shahini e gjen zgjidhjen: Do rikonstruktojmë edhe godinën e vjetër


Ministrja e Arsimit Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, “ka gjetur zgjidhje e artë” për të mbarë-vajtur problemet e shfaqura tre herë në pak ditë në shkollën e mesme “Janaq Kilica” në Fier ku nxënës dhe staf u dërguan me urgjencë në spital dhe shkaktuan panik në radhët e prindërve dhe të miturve.

Shahini nëpërmjet një postimi lajmëron se është dakordësuar me Kryebashkiakun e Fierit, Armando Subashin për të ndërhyrë në godinën e vjetër të gjimnazit.

Sapo u dakordësuam me Kryetarin e Bashkisë Fier për të ndërhyrë edhe në godinën e vjetër të shkollës së mesme “Janaq Kilica”, që ta sjellim në gjendjen e godinës së re, pra në gjendjen të cilën meriton shkolla qendrore e Fierit”.

Më tutje, ministrja i ka dalë në mbrojtje drejtoreshës së shkollës duke thënë se do shtojë oficerët në shkollë si edhe prezencën e psikologut. Gjithashtu Shahini tha se po hulumtohen ndërhyrjet politike në shkollë ku nuk la pa shigjetuar edhe opozitën lidhur me rastin në këtë shkollë.

“Nuk do të lejojmë që ngjarje të manipuluara politikisht për të shkaktuar kaos të dëmtojnë punën e mirë që bëhet në atë shkollë prej shumë e shumë vitesh. Kemi shtuar oficerët e sigurisë dhe prezencën e psikologut në shkollë, në mënyrë që të mbështesim drejtoren e cila po bën një punë të mirë në organizimin e shkollës.

Ankesat për ndërhyrje politike në shkollë po i hulumtojmë me kujdes dhe do të marrim masa që të sigurohemi se tensionet politike të stisura nga opozita jashtë-parlamentare mos të ndikojnë punën e rëndësishme shkollore”-shkruan Shahini.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *