Ambasada amerikane në Tiranë ka bërë thirrje që palët politike të respektojnë konfidencialitetin e projekt-opinionit të Komisionit të Venecias deri sa ai të finalizohet.
Në njoftimin e ambasadës vlerësohet vendimi i qeverisë për të mos ndërmarrë vendime derisa opinioni të finalizohet.
Në fund të reagimit të ambasadës thuhet se duhet të qëndrojmë të përqendruar te sundimi i ligjit në Shqipëri.
‘Nxisim të gjitha palët që të respektojnë procesin e Komisionit të Venecias, përfshi kërkesën për konfidencialitet të projekt-opinionit deri sa të finalizohet. Mirëpresim vendimin e qeverisë për të mos ndërmarrë veprime të mëtejshme lidhur me legjislacionin përkatës derisa opinioni të finalizohet. Po ashtu mirëpresim deklaratën e bërë nga Presidenti Meta gjatë konferencës së tij për shtyp me Presidentin e Bullgarisë, duke afirmuar rëndësinë e një vendimi pozitiv nga BE për të hapur negociatat drejt anëtarësimit për Shqipërinë. Duhet të qëndrojmë të përqendruar tek ajo që ka më shumë rëndësi – sundimi i ligjit dhe e ardhmja e Shqipërisë në Evropë.’ – shkruhet në reagimin e ambasadës.