Kreu i PD-së, Basha, ka pritur në selinë blu presidentin e parlamentit austriak, Wolfgang Sobotka.
Kryedemokrati bën me dije se me kryeparlamentarin e Autrisë është biseduar për krizën politike, kushtetuese e institucionale si dhe reformën zgjedhore e atë në drejtësi.
‘Pata kënaqësinë të pres Presidentin e Parlamentit të Austrisë, Z. Wolfgang Sobotka të cilit i shpreha mirënjohjen për mbështetjen e Austrisë për Shqipërinë dhe integrimin e vendit në BE si dhe vendosmërinë e PD dhe Opozitës së Bashkuar për forcimin e bashkëpunimit dypalësh.
Bashkëbiseduam me kryeparlamentarin austriak mbi krizën politike, kushtetuese dhe institucionale në Shqipëri, reformën zgjedhore dhe atë në drejtësi, presionin ndaj lirisë së media, si dhe zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.’ – shkruan Basha.
Në fund të statusit në Facebook, kryedemokrati shkruan se me zyrtarin e lartë austriak ka pasur dakordësinë se rruga për të dalë nga kriza e thellë e për t’u integruar është zbatimi i 9 kushteve të Bundestagut.
‘Patëm dakordësi të plotë se udhërrëfyesi për daljen nga kriza e thellë politike që po kalon vendi, dhe për të zhbllokuar rrugën e integrimit europian të Shqipërisë, është zbatimi i 9 kushteve të Bundestagut. Zgjedhjet e lira e të ndershme janë hapi i parë drejt zgjidhjes së krizës dhe rikthimit të shpresës dhe mundësive për çdo shqiptar.’ – mbyll statusin Basha.