Një burrë u dëbua nga tubimi i Bernie Sanders në Arizona, pasi ai shpalosi një flamur nazist gjatë fjalimit të kandidatit për president.
Valëvitja e flamurit nazist në fushatën e Sanders ngjalli zemërim dhe nxiti thirrje për siguri në mediat sociale.
Burri i cili kishte varur një flamur me një kryq të thyer mbi të u pikas menjëherë nga turma, që ia hoqi flamurin nga dora dhe individi u nxorr shpejt nga forcat e sigurisë.
Në këto momente, Sanders i tha turmës së mbështetësve të tij se kushdo që ishte ai që shkaktoi gjithë këtë, ishte më i vogël në numër.
“Dhe më e rëndësishmja, ata do të jenë më të pakët në numër në nëntor”- shtoi ai.
Më vonë Sanders, në një deklaratë për shtyp zbuloi se fillimisht nuk e pa flamurin, por pasi mbështetësit e tij filluan të bënin zhurmë, ai e vuri re.
Sanders u tha gazetarëve: “Unë thjesht do ta them këtë, dhe flas jo vetëm si hebre amerikan, mendoj se mund të flas për familjet e rreth 400,000 trupave amerikane që vdiqën duke luftuar nazizmin, duke luftuar fashizmin. Kjo është, është e tmerrshme. Është më se e neveritshme të shohësh se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka njerëz që do të tregonin emblemën e Hitlerit dhe të Nazizmit “.
Komiteti Hebraik Amerikan reagoi lidhur me incidentin, duke e konsideruar se një flamur nazist nuk ka vend në SHBA.
“Flamujt nazistë janë simbole të urrejtjes së pastër dhe nuk kanë vend askund në Amerikë, aq më pak në një miting për një kandidat hebre presidencial. Ne jemi mirënjohës që përgjegjësit u dëbuan menjëherë.”– thuhet në deklaratë.
Nëse Sanders do të zgjidhej, do të bëhej presidenti i parë hebre i Amerikës. Familja e madhe e Sanders nga Polonia u vra në Holokaust gjatë Luftës së Dytë Botërore.