Paraditen e sotme, kryeministri Edi Rama po zhvillon një takim me banorët e Shijakut, të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit, të cilëve iu dëmtuan banesat.
Pasi bëri një urim për festën e 7 marsit dhe pasi foli pak për projektin e rindërtimit, Rama ftoi në podium një arkitekt italian.
Në fillim Rama nuk pranoi t’i jepte atij dorën duke thënë se meqenëse ai është nga Italia, nuk i dihet nëse është i prekur nga koronavirusi.
Por më pas ia dha dorën.
“Nuk e di nëse ka këtu në sallë ndonjë mësues apo mësuese, por i them të gjithëve; gëzuar 7 Marsin. Dua tu them atyre mësuesve që mësimdhënia i gjeti në shkolla të dëmtuara rënd nga tërmeti. Ato objekte, shtëpi individuale, që ishin në atë gjendje që ishin dhe që tërmeti i bëri të parindërtueshme, t’i bëjmë shumë të mira. Dëshiroj që të shpreh një falënderim të veçantë ata që kanë bërë të mundur realizimin e projektit . në këtë punë parapërgatitore janë përfshirë mijëra njerëz, që merren me pronat, me gjeologjinë, etj. Ata kanë nisur punën pa pritur që të jenë të paguar. Ajo që më duket pjesa më e bukur e saj është se kemi pasur miq të huaj, arkitekt, njerëz me eksperiencë e talent.
Dua të thërras këtu dhe t’i japim një duartrokitje, Franceskos, që është arkitekti që vjen nga Italia. S’po ja jap dorën se e dini se ky vjen dhe nga Italia dhe s’i dihet.
Nuk ta jap dorën se nuk i dihet kurrë. Ka një infodemi të lajmeve të rreme, komente pa asnjë bazë shkencore që rrit shumë panikun, ankthin e pasigurinë te njerëzit, dhe pavarësisht porosive të OBSH-së, pengon shumë përballjen me këtë epidemi. Duhet të jemi të kujdesshëm duhet të jemi racionalë me kontaktet. Nuk është çështje trimërie apo karshillëku, po të jemi të kujdesshëm.
Deri më sot nuk kemi asnjë rast, se ka në burimet e infodemisë shumë gjëra që janë edhe kërcënuese për psikologjinë e njerëzve. Po ka nga ata që me qëllim duan të përhapin panik, ju e dini kush i ushqen ato burime, pse i ushqen e me radhë. Janë munduar të thonë ka ardhur e i kemi fshehur, asgjë nga këto nuk është e vërtetë sepse jemi në kontakt të përditshëm me OBSH-në. Mos ardhtë kurrë, i kemi bërë përgatitjet tona, nëse vjen do ta përballojmë, me rëndësi është të ndjekim këshillat e organeve zyrtare.”- tha kryeministri.