Shefja e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Bino, pohoi mbrëmjen e sotme se Shqipëria deri tani është ende e paprekur nga koronavirusi.
Ajo ishte e ftuar në emisionin ‘Kjo Javë’ në News24 ku deklaroi se deri tani në institucion që drejton bëhen rreth 50-70 testime në muaj ndërsa për koronavirusin janë bërë vetëm 4-5 raste duke pohuar se testimet bëhen mbi bazën e rekomandimeve të mjekëve.
‘Në varësi të kërkesës dhe identifikimit të rastit. Ne presim atë që dyshojnë mjekët. Ne nuk bëjmë ekzaminime, por tani po kërkojmë më tepër raste. Kemi ndërruar përkufizimin e rastit. Që nga e premtja që shkoi, OBSH dhe Qendra Evropiane e Sëmundjeve kanë zgjeruar gamën, pse duhen testuar pacientët. Pra, ne tani po testojmë edhe të sëmurët, që kanë sëmundje të rënda respiratore, për të cilat nuk ka ndonjë shpjegim tjetër, por që nuk kanë pasur ndonjë histori udhëtimi. Kjo zgjeron gamën e testimit. Deri tani kemi testuar persona me shenja respiratore dhe që kanë pasur histori udhëtimi.’ – tha ajo.
Ajo tha gjithashtu se sot po testohen 2 persona të cilët dyshohen me koronavirus, ndërsa ripohoi se vendi është ende i paprekur nga koronavirusi.