Vendosni fjalën kyçe....

Arrestimi i 2 avokatëve të studios ligjore të Çilit, reagon Dhoma Kombëtare e Avokatisë


Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka reaguar lidhur me arrestimin e dy avokatëve Ilir Korbi dhe Betim Shkupi, të studios ligjore të Henri Çilit, në kuadër të operacionit “Mezhgorani”.

Përmes një deklarate për mediat, Dhoma e Avokatisë e konsideron të paligjshme prangosjen e dy avokatëve dhe ngre shqetësime për sulmet ndaj këtij profesioni.

Në deklaratë thuhet se Korbit e Shkupit iu është mohuar çdo e drejtë ligjore duke ndikuar drejtpërdrejt dhe në profesionin e tyre si juristë dhe mbrojtës të të drejtave demokratike.

Botuesi Henri Çili u ndalua javën e kaluar në kuadër të operacionit “Mezhgorani”, me akuzën se kishte ndikuar te një gjykatës për të ulur dënimin ndaj dy personave të dënuar me burgim të përjetshëm. Mes të arrestuarve ishin dhe dy avokatët e studios ligjore të tij.

DEKLARATA E DHOMËS KOMBËTARE TË AVOKATISË

Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka ndjekur më vëmendje rastin e ndalimit të dy avokatëve Ilir Korbi dhe Betim Shkupi dhe ka ngritur shqetësimin e saj për sulmet ndaj profesionit të avokatit.

Ndalimi i paligjshëm i tyre duke i mohuar çdo të drejtë ligjore është një ndikim i drejtpërdrejtë në profesionin tonë si juristë dhe mbrojtës të garancive dhe të drejtave demokratike e kushtetuese të sanksionuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe aktet e tjera të ratifikuara në sistemin tonë ligjor.

Organet e akuzës duhet të ndjekin dhe të veprojnë sipas përcaktimeve ligjore urdhëruese të saksionuara në Kodin e Procedurës Penale dhe të shmangin çdo akt apo veprim si:

  • dhunë verbale e përdorur për të arritur qëllimet e deponimit në kundërshtim me ligjin;
  • përgjimi i bisedave telefonike midis avokatit dhe klientit lidhur me mbrojtjen ligjore;
  • komentimi i opinioneve ligjore apo akteve proceduriale të firmosura nga avokatët në funksion të garantimit të të drejtave ligjore të klientëvetë tyre, etj.

Duke vepruar si më lart përmendur organet e akuzës shpien në asimilimin e të rolit me rolin e klientëve të tyre.

Profesioni i avokatit, nuk mund të konsiderohet thjeshtë një shërbim ligjor ndaj individëve apo entiteteve të ndryshme juridike. Avokati ka një rol të veçantë e të rëndësishëm dhe po aq delikat në një shoqëri të ndërtuar në respektim të shtetit të së drejtës.

Avokati është një e mirë publike, ndaj respektimi i funksionit profesional të tij është kusht esencial për shtetin e së drejtës dhe për demokracinë në një shoqëri.

Shpesh herë Dhoma Kombëtare e Avokatisë nëpërmjet deklarimeve për shtyp ka sjellë përpara opinionit publik interesin, mbështetjen, angazhimin, sinergjitë e profesionit të avokatisë në funksion të themelimit të shtetit të së drejtës dhe mirë administrimit të sistemit të drejtësisë.

Përmes kësaj deklarate, Dhoma Kombëtare e Avokatisë shpreh solidaritetin e plotë për kolegët e ndikuar nga kufizimet serioze në të drejtat themelore të njeriut si avokatë ashtu si qytetarë të Republikës së Shqipërisë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *