Qeveria italiane ka vendosur të ndalojë lëvizjet në zonën veriore të Italisë pas përhapjes së koronavirusit. Ansa.it shkruan se kryeministri Giuseppe Conte ka nënshkruar pas orës 2 të mëngjesit, një dekret që kufizon mundësinë e lëvizjes në Lombardi dhe 14 provincat më të prekura nga koronavirusi, në Parma, Piacenza, Rimini, Reggio-Emilia, Modena, Pesaro dhe Urbino, Venecia, Padova, Treviso, Alessandria, Verbano-Cusio-OSSOLA, Novara, Vercelli dhe Asti.
Drafti ligjor i firmosur nga Kryeministri Giuseppe Conte hyn në fuqi nga dita e sotme deri më 3 prill të këtij viti.
Nuk është një “ndalim absolut”, shpjegon Conte. Nuk do ndalohet gjithçka. Trenat dhe aeroplanët nuk do të ndalen: do të jetë e mundur të lëvizësh për nevoja të provuara për punë ose për raste emergjente dhe arsye shëndetësore. Por policia do t’i ndalojë qytetarët dhe t’i pyesë ata pse po lëvizin në një kohë kur qeveria ka marrë masa si kurrë më parë.
“Shmangni absolutisht çdo lëvizje brenda dhe jashtë territoreve të përmendura në këtë dekret përveç për situata emergjente”, thuhet në vendimin e qeverisë italiane.
Gjithashtu ndalohet lëvizja e atyre që janë vendosur në karantinë në vendbanimin e tyre.
Në këtë draft vendosen kufizime parandaluese edhe në pjesën tjetër të territorit kombëtar, shkruan corriere.it.
Në Lombardi dhe në 14 provincat do të qëndrojnë mbyllur shkollat dhe universitetet (përveç atyre telematike), ceremonitë civile dhe fetare do të pezullohen, pijetoret, diskot dhe vendet e tjera të argëtimit, palestra dhe pishina, por edhe muzetë dhe vendet e kulturës do të jenë mbyllur. Baret dhe restorantet mund të qëndrojnë të hapura, por vetëm nga ora 6 në 18 dhe vetëm nëse mund të garantojnë se ekziston një distancë sigurie prej të paktën një metër midis një klienti me një tjetër.
Conte njoftoi gjithashtu mbylljen e muzeve dhe pezullimin e “ngjarjeve e shfaqjeve të çdo lloji, përfshirë shfaqjet filmike dhe teatrale” në të gjithë vendin. Gjithashtu të mbyllura janë disko, baret, shkollat e vallëzimit dhe dyqanet e basteve. Ngjarjet dhe garat sportive gjithashtu janë pezulluar. Vendet e adhurimit mund të qëndrojnë të hapura, për aq kohë sa ato mund të garantojnë sigurinë e besimtarëve duke shmangur tubimet. Por ceremonitë nuk mund të mbahen, madje as funeralet.