Ku saktësuese e ku provokuese, fjalitë që çelin librat klasikë, janë nga më të ndryshmet, po le të qëmtojmë disa prej tyre.
Fjalia e parë i hap shtegun një rruge të gjatë, po a është e lehtë të gjesh të duhurën? S’është për t’u habitur që Stiven Kingu shpenzon muaj të tërë, ndonjëherë edhe vite, për të gjetur fjalinë e saktë çelëse.
Me sa duket, Çarls Dikensi ishte mjaft i zoti për këtë punë. Vini re si nis David Koperfildi: “Në do të dalë që jam heroi i vetë jetës sime a këtë vend do të ma zërë kushdo tjetër, këtë do ta shohim në këto faqe”, apo te Këngë Krishtlindjesh, fjalia e parë është: “Marli kishte vdekur, sa për ta nisur”, po asnjë nga këto nuk krahasohet me Një rrëfim për dy qytete, që fillon kështu: “S’kishim parë kohëra më të mira, s’kishim parë më të liga kohëra”, që na përgatit për të hyrë në një botë kontradiktore, e cila karakterizon këtë rrëfim dashurie e revolucioni.
Sot ne as që presim që veprat të zënë fill kështu, po asnjëherë një roman nuk i ngjan një tjetri, edhe pse njerëzit, në thelb, ngjajnë shumë me sho-shoqin. Dhe kjo na sjell ndër mend fjalinë, me të cilën Tolstoi çel Ana Kareninën: “Njësoj janë të gjitha familjet e lumtura; po çdo familje e palumtur ka palumturinë e saj”.
Xhejn Oustini luan me faktet te Krenari dhe paragjykim, duke e filluar kështu romanin e saj: “Dihet botërisht se një beqar me goxha pasuri, duhet të dalë të kërkojë një grua”. Po ka edhe autorë që, me fakte, vënë në dyshim gjithë realitetin ku do të na përfshijë libri, siç është, fjala vjen, fjalia çelëse e Renata Adlerit, në librin Varka: “Atë vit nuk vdiq askush”, një fjali që ngre pikëpyetje, të cilave mund t’u përgjigjet vetëm libri.
Historia e fshehtë e Dona Tartit e përgatit edhe më shumë lexuesin: “Bora në male po shkrinte dhe nga vdekje a Banit kishin kaluar disa javë, kur kuptuam se sa e vështirë ishte situata ku ndodheshim”.
Xhorxh Oruelli luan fort dhe di si ta nxjerrë lexuesin nga rutina, kur e fillon 1984-ën me fjalinë: “Ishte një ditë prilli e ftohtë e plot diell dhe orët trokitën të trembëdhjeta”. Po ka nga ata autorë, që duan ta vënë theksin në anën artistike të veprës së tyre, si En Tajlëri te Atëherë kur ishim të rritur, që fillon kështu: “Na ishte njëherë e një kohë, një grua, që zbuloi se ishte shndërruar në njeriun e gabuar”.
Disa autorë krijojnë një atmosferë të caktuar që në rreshtin e parë. Kështu, Silvia Plathi romanin e saj të vetëm, Kambana e qelqtë, e çel me fjalinë: “Ishte një verë mbytëse, diqysh e dehur, vera kur ua morën jetën me korrent Rozenbergëve dhe unë nuk e di ç’bëja në Nju Jork”.
Ndonjëherë, fjalia e parë prish çdo rregull, siç bën Italo Kalvino, i cili e fillon kështu romanin Sikur një natë dimri një udhëtar: “Bëhuni gati të lexoni romanin e ri të Italo Kalvinos, Sikur një natë dimri një udhëtar”.
E megjithatë, në historinë e letërsisë do të kujtohen gjithmonë fjali klasike, si ajo e Sharlotë Brontesë te Xhejn Er: “As që bëhej fjalë të dilnim të shëtisnim atë ditë” apo te Rebeka e Dafnë dy Moriesë: “Mbrëmë pashë në ëndërr sikur shkova prapë në Mandërlej”, për të mos harruar, kuptohet, edhe një prej fjalive më të famshme çelëse, atë me të cilën Herman Melvili nis Mobi Dikun: “Më thirr Ishmael”.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e BBC Culture/ Përshtati në shqip Aeditions.al