Vendosni fjalën kyçe....

Gjashtë të vdekur nga rrëzimi i hotelit-karantinë në Kinë, 28 njerëz nën rrënoja


Të paktën gjashtë njerëz kanë humbur jetën dhe 28 mbeten ende të zhdukur nën rrënoja, pas rrëzimit të hotelit që përdorej si karantinë në qytetin kinez të Quanzhou.

BBC shkruan se ekipet e shpëtimit janë ende duke vijuar kërkimin nën rrënojat e hotelit me pesë kate.

Në momentin kur hoteli u shemb, brenda ndodheshin shtatëdhjetë e një njerëz. Një pjesë e tyre u shpëtuan, 6 u nxorën të pajetë e 28 vijojnë ende të jenë të zhdukur.

Nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi rrëzimin të shtunën në mbrëmje megjithatë autoritetet kineze thonë që po e hetojnë.

Mediat shtetërore thonë se hoteli ishte duke u përdorur si një strukturë karantine që monitoronte njerëzit që kishin pasur kontakte të ngushta me pacientët me koronavirus. 58 nga 71 personat që ndodheshin në ndërtesë ishin nën karantinë.

Një grua i tha një faqeje interneti, të afërmit e saj ndodheshin nën karantinë atje.

“Unë nuk mund t’i kontaktoj ata, ata nuk po u përgjigjen telefonatave”- tha ajo.

“Unë jam gjithashtu nën karantinë në një hotel tjetër dhe jam shumë e shqetësuar, nuk di se çfarë të bëj. Ata ishin të shëndetshëm, ata matnin temperaturat e tyre çdo ditë dhe testet tregonin se gjithçka ishte normale.”- tha gruaja.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *