Një anëtar i dytë i Asamblesë Kombëtare të Francës është dërguar në spital pasi ishte infektuar me koronavirus, ndërsa pesë deputetë të tjerë janë duke u testuar.
Asambleja Kombëtare nuk i ka publikuar emrat e dy deputetëve të infektuar, por mediat lokale raportojnë se një prej tyre është Jean-Luc Reitzer, i cili përfaqëson zonën më të prekur nga Covid-19 në Alsasë. Ai momentalisht ndodhet në spital të terapi intensive siç shkruan Reuters.
Deputetja e dytë është një grua, sipas deklaratës së parlamentit. Kuvendi tha të premten se edhe një punonjës i një bari për ushqime të shpejta ishte infektuar.
Seancat në dhomën e ulët do të ndërpriten për dy javë nga 9 marsi deri në 22 mars për shkak të zgjedhjeve bashkiake që po zhvillohen në të gjithë Francën, duke ulur aktivitetin dhe numrin e njerëzve të pranishëm në ndërtesë.
Ministria e shëndetësisë në Francë tha më herët se dy njerëz kishin vdekur nga koronavirusi, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve në Francë në 11.
Tani Franca ka regjistruar 716 raste të konfirmuara të koronavirusit.