Bahreini njoftoi se gara e kampionatit në Formula 1 do të zhvillohet këtë muaj, por se vetëm ekipet garuese do të lejohen të marrin pjesë, nga frika e përhapjes së koronavirusit.
Njoftimi i Princit të Bahreinit Salman bin Hamad u transmetua nga agjensia shtetërore e lajmeve BNA. Princi tha se vendimi ishte marrë për sigurinë e qytetarëve, banorëve dhe spektatorëve të Formula 1. Gara është caktuar për 22 Mars.
I zbuluar për herë të parë në Wuhan të Kinës në dhjetor, virusi, i njohur zyrtarisht si COVID-19, është përhapur në më shumë se 80 vende.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), virusi ka marrë jetën e mbi 3.500 njerëzve globalisht, ndërsa ka infektuar mbi 100 mijë vetë.
OBSH, e cila shpalli epideminë si një emergjencë ndërkombëtare shëndetësore, së fundmi përditësoi nivelin e rrezikut global në “shumë të lartë”.