Koronavirusi ka sjellë edhe një herë kaos për Serinë A pas anulimit të disa ndeshjeve, pasi ministri i Sportit në Itali po konsideron të pezullojë kampionatin.
Siç shkruajnë mediat italiane, ministri Vincenzo Spadafora ka mbështetur thirrjen e Shoqatës së Lojtarëve që Seria A të pezullohet, duke bllokuar ndeshjen Parma-SPAL një minutë para se të fillonte.
Lojtarët po qëndronin në tunelin e stadiumit Tardini me muzikën që po luhej në arenën e zbrazët kur papritmas gjithçka ndalet.
Arbitrat dolën dhe njoftuan se Ministri i Sportit po konsideronte të ndërpriste menjëherë sezonin e Serisë A, kështu që skuadrat u kthyen përsëri në dhomën e zhveshjes.
Ministri është shprehur: “Nuk ka sens, në një kohë që po bëjmë sakrifica të mëdha për të penguar përhapjen e virusit te qytetarët, ndërsa lojtarët, arbitrat dhe teknikët të rrezikojnë”.