Një tjetër guvernator italian është prekur nga koronavirusi Covid-19. Ansa.it shkruan se guvernatori i Rajonit të Piemonte, Alberto Cirio, ka rezultuar pozitiv pas analizave për koronavirusin.
“Shëndeti i tij është i mirë dhe ai do të vazhdojë të punojë në distancë”– njoftoi Rajoni i Piemonte. Cirio e kreu testin në orët e fundit, siç bënë paraprakisht edhe qeveritarët e tjerë që ishin të pranishëm në Romë në 4 Mars për takimin në Pallatin Chigi.
Guvernatori tashmë ka aktivizuar të gjitha procedurat e parashikuara për kontrollet dhe sigurinë e njerëzve më të afërt me të, duke filluar nga Ekzekutivi, stafi dhe kolegët, njerëzit me të cilët ai ka qenë në kontakt së fundmi dhe natyrisht familjen e tij.
Një ditë më parë edhe guvernatori i rajonit të Lazios, i cili është njëkohësisht kryetari i PD-së në Itali, Nicola Zingaretti, dha lajmin se ka rezultuar pozitiv pas analizave për koronavirusin.
Të tjerë zyrtarë janë prekur gjithashtu nga koronavirusi.Këshilltari për zhvillimin ekonomik të rajonit të Lombardisë, Alessandro Mattinzoli rezultoi pozitiv, ndërsa guvernatori Attilio Fontana megjithëse rezultoi negativ u fut në karantinë për shkak se kolegu i tij ishte i infektuar.
Kryetarja e Piacenza-s Patrizia Barbieri gjithashtu doli se e kishte virusin. Ndërkohë janë ngritur dhe shqetësimet për ish-Ministrin e Brendshëm Matteo Salvini, pas lajmeve se truproja i tij është infektuar.