Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Silvana Bino në një intervistë në emisionin “Tempora” në Ora News dha informacione të përgjithshme rreth gjendjes së personave të hospitalizuar nga koronavirusi në vendin tonë.
Sipas, Binos gjendja e personave të prekur te spitali Infektiv në Tiranë janë më të stabilizuar ndërsa pacientja në Durrës paraqitet më e rënduar.
“Janë identifikuar për 24 orë të gjitha kontaktet e personave të infektuar. Është bërë një hartëzimi i gjithë zonave ku kanë qenë personat, janë marrë mostrat, janë futur në vetëkarantinë. Kjo është një punë e jashtëzakonshme. I kishim ekipet e gatshme për gjurmimin dhe mënyrën se si do të veprohet. Kjo është vetëm me rastet që kanë ardhur me rastin e parë. Gjendja e të prekurve tek Infektivi janë më e stabilizuar, ndërsa në Durrës është më e rënduar”-deklaroi Bino në emisionin Tempora.