Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka reaguar ndaj kryedemokratit Lulzim Basha pasi e quajti dikasterin që drejton “rrumpallë”.
Manastirliu thotë se sot Ministria është e rrethuar nga profesionistë me integritet, janë mjekë dhe ekspertë të shëndetit publik që i shërbejnë qytetarëve.
Më tej ministrja i thotë Bashës se kjo nuk është luftë politike por luftë me shëndetin.
Reagimi i plotë:
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të cilën për turpin tuaj, ju e quani “rrumpallë”, ka privilegjin të jetë e rrethuar nga njerëz dhe profesionistë të shkëlqyer, të cilët janë vënë në krye të kësaj lufte të paparë që ka përfshirë të gjithë botën.
Janë bluza të bardha me autoritet dhe integritet, të cilët në jetën e tyre private besojnë në ide e alternativa të ndryshme politike.
Janë ekspertë të shkëlqyer të shëndetit publik. Ata janë njerëz që u shërbejnë çdo ditë qytetarëve, pa dallim. Mes tyre ka edhe simpatizantë të partisë tuaj. Por në punë, ata e kanë aftësinë që të lënë në shtëpi aftësitë politike. Dhe sot janë të gjithë bashkë, në këtë përpjekje të jashtëzakonshme kundër një epidemie që po sfidon të gjithë botën, dhe padyshim edhe Shqipërinë.
Juve ndoshta nuk e kuptoni sa keq dukeni kur sajoni, gënjeni apo shani dhe fyeni ministrinë e tyre. Sepse Ministria e Shëndetësisë, është më në fund ministria e tyre. Nuk është e Ministres, as e partisë, aq më pak e qokave si deri dje.
Unë jam ministrja e tyre dhe ata janë graviteti i punës sime, janë fuqia e angazhimit tim.
Ata janë burimi i sigurisë që kam, se NE DO T’IA DALIM KËSAJ LUFTE! Me ose pa ju zoti Basha, NE DO T’IA DALIM!
Ka njerëz të nderuar, profesionistë të respektuar, në atë që ju e quani “task-forca opozitare”.
Po opozitën e kujt jeni duke bërë bashkë, ju dhe politikanët e maskave të skaduara zoti Basha?
Ju pyes sepse ju s’keni nevojë për ata që të sajoni, gënjeni, shani apo fyeni ministrinë që është edhe e tyrja!
Nuk ju duhen farsa si e sotmja, ku tre politikanë me “bombë në duar” pozonin me një qendër shëndetësore në sfond për të frikësuar njerëzit dhe profesionistët e shëndetit.
Ju s’keni nevojë për ata, për të vazhduar me avazin e vjetër të akuzave e të kërcënimeve me prokurori. Personeli mjekësor sot nuk ka nevojë për “detektivët” tuaj, po për mbështetjen e të gjithëve, përfshirë edhe ju!
Ne, Ministria e Shëndetësisë e kam fjalën, nuk jemi as të përsosur as të pagabueshëm.
Po si mundët të na quani kriminelë edhe sot, kur Shqipëria e tërë i ka sytë nga personeli ynë mjekësor që SOT JEMI NJË, BASHKË ME ÇDO SHQIPTAR dhe PËR ÇDO SHQIPTAR?!
Unë jam mësuar të mos habitem nga agresiviteti i retorikës suaj. Por kjo e sotmja më habiti. Një rënie e fortë në standartin e komunikimit, në kohën më të gabuar të mundshme.
Shpresoj fort të ketë qenë një lajthitje, si ajo “task-forca” shëndetësore opozitare, të cilës nuk i gjen dot një të dytë në asnjë vend të botës.
Ju ftoj sinqerisht që, deri kur të kemi përfunduar këtë betejë me virusin, të heshtni, atëherë kur nuk keni ç’të thoni. Nuk është luftë politike kjo, Z. Basha. Eshtë luftë për shëndetin dhe sigurinë e mbarë popullit.
Mua këtu do të më keni. Kur ta kemi mundur epideminë, do të keni kohë që të rifilloni me avazin tuaj. Por deri atëherë, kujtojini vetes se nuk jeni vetëm politikan. Jeni burrë, prind, bir i një familjeje. Mos e prishni gjakun e të gjitha familjeve të Shqipërisë, duke përhapur panik dhe folur në hava.
Të flasësh kot në kohë krize si kjo e epidemisë, nuk është thjesht e pajustifikueshme. Eshtë e dënueshme në çdo aspekt.