Një ditë pasi e gjithë Italia u vendos në karantinë, ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku ka dalë në një deklaratë për mediat ku ka deklaruar se nga sot janë pezulluar të gjitha fluturimet në drejtim të shtetit fqinj.
Ajo tha se sot do të nisen dhe tragetet e fundit nga portet e vendit, ndërkohë që nuk do të pezullohen anijet e mallrave pasi sipas saj kjo do të ishte një kosto shumë e madhe për bizneset.
“Pas vendimit të marrë nga shteti italian dhe deklaratës së bërë nga Kryeministri Conte për shpalljen e Italisë si zonë të kuqe totalisht, jemi të detyruar edhe ne të ndërmarrim masa për ndërprerjen e fluturimeve nga Rinasi drejt Italisë, apo që vijnë nga Italia drejt Rinasit. Kështu që tashmë të gjitha aeroportet italiane që kishin mbetur të hapura për operime, siç ishte ai i Romës apo i Barit duke u nisur nga Shqipëria nuk do të jenë më të aksesueshme.
Avioni i fundit, ai i Alitalia është ulur në 10:30 me 64 pasagjerë të cilët kanë kaluar që të gjithë nga kontrolli mjekësor dhe janë regjistruar nga grupet e Ministrisë së Shëndetësisë që ndodhen në aeroportin e Rinasit për t’u kontrolluar edhe në ditët në vazhdim, pasi u kërkohet autokarantinimi të gjithë këtyre personave sapo të ardhur në Shqipëri. Avioni tjetër është nisur në orën 11:40, avioni i Alitalias drejt Romës dhe këtu ndërpriten të gjitha fluturimet.
Avionë që vijojnë bosh nga Italia, pa pasagjerë, nuk do lejohen që të vijnë më. Këto avionë mund të marrin pasagjerë për t’i dërguar në Itali. Vazhdojmë të bëjmë thirrje që kompanitë duhet të akomodoni me data të tjera personat që kanë prerë bileta në data të ardhshme”, deklaroi Balluku.
Ministrja i apel të gjitha agjencive ajrore që të zhvendosin datat e fluturimit dhe lundrimit për pasagjerët që i kanë prerë bileta dhe u bëri apel qytetarëve që të përdorin shërbimet online dhe të mos shkojnë nëpër sportele.
Balluku shtoi se në vazhdim do të merren masa dhe për transportin urban brenda qyteteve në vend.