Një plagosje me thikë ka ndodhur një ditë më parë në qytetin e Durrësit, ku një djalë i ri është dërguar me urgjencë drejt spitalit. I plagosuri është një 25-vjeçar, i cili ishte goditur në pjesën e gjoksit me thikë.
Lidhur me ngjarjen, policia ka arrestuar një 56-vjeçar, nga i njëjti qytet.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin:
- B., 56 vjeç, banues në Durrës.
Ky shtetas, më datë 09.03.2020, në lagjen nr. 16, Durrës, pas një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës (thikë), në pjesën e gjoksit, shtetasin A. N., 25 vjeç, banues në Durrës, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Vrasja me dashje, e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta.”– thuhet në njoftimin e policisë.