Një qytetar nga Durrësi ka përgënjeshtruar deklaratën e Ministrisë së Shëndetësisë, sipas së cilës, 73-vjeçarja që humbi jetën nga koronavirusi sot në Durrës ka qenë e vetme në dhomë.
Sipas qytetarit në një intervistë ekskluzive për Report TV, e moshuara që ndërroi jetë sot ka qenë në dhomë edhe me dy gra të tjera për 4 ditë, njëra prej të cilave e ëma e tij 84-vjeçare.
Shkëlqim Buziu thotë gjatë intervistës së 73-vjeçarja deri në moment të fundit nuk kishte treguar pranë autoriteteve shëndetësore që kishte qenë së fundmi në Itali.
Vetëm kur gjendja e saj u përkeqësua dhe u kërkua t’i bëhen analiza, nga frika se do të zbulohej ajo tha se kishte shkuar në Bolonja të Italisë për t’u vizituar për problemet e shumta shëndetësore që ajo kishte.
Qytetari rrëfen gjithashtu se në dhomën ky ka qenë viktima e dy gratë e tjera kanë hyrë e kanë dalë shumë persona që vinin të takonin pacientet në dhomë, ndërsa vetë ai ka qëndruar për 4 ditë në atë dhomë pranë nënës së tij.
Aktualisht ai thotë se e gjithë familja e tij është vetëkarantinuar në banesë, ndërsa mostra për të bërë analizën e koronavirusit në ISHP i është marrë vetëm nënës së tij të moshuar.
‘Ka pasur plot hyrje e dalje të familjarëve. Hynin e dilnin njerëzit. Kontakte fizike ka pasur. Nuk kemi përdorur maska. Ka qenë moskompetenca e këtyre, gabimi fatal i mjekësisë. Kam qëndruar 4 ditë në dhomë me pacienten e sëmurë, bashkë me nënën time. Ne ndenjëm 4 ditë, këta po e bëjnë tragjedi për atë që e mohoi e fshehu dhe ndenji mes nesh. Jo të vinte mes njerëzish, se atje kishte të rinj, pleq, çfarë nuk kanë hyrë e nuk kanë dalë tek ata njerëz. Pa pikë turpi thonë që dhoma ka qenë vetëm. Ne kemi kaluar 3-4 ditë aty.’ – tha Buziu.