Asnjë lajm i mirë nuk vjen nga faqja zyrtare e ekipit italian të Serisë C, Vis Pesaro, e cila ka njoftuar se njëri prej lojtarëve të saj ka rezultuar pozitiv pas testeve për koronavirus.
Klubi italian konfirmoi përmes një deklarate, që një anëtar i skuadrës ishte diagnostikuar me koronavirus, edhe pse aktualisht ai nuk kishte simptoma.
” Vis Pesaro 1898 komunikon që pasi ka bërë kontrolle specifike, një nga anëtarët e saj ka rezultuar pozitiv për Covid-19. Ne do të dëshironim të specifikonim që ai është mirë dhe është plotësisht asimptomatik.
Kompania është duke punuar shumë për të marrë të gjitha masat e nevojshme menjëherë, dhe do të japë informacionin e nevojshëm sa më shpejt të jetë e mundur “– thuhet në njoftim, citon Corriere Dello Sport.
Ende nuk është e qartë nëse në izolim do të vendoset i gjithë ekipi, apo vetëm ky lojtar. Turneu i Serisë C është pezulluar gjithsesi deri më 3 prill, për shkak të shpërthimit të koronavirusit që ka prekur mbi 10,000 njerëz në Itali.