Rasti më i rëndë i regjistruar me koronavirus në vendin tonë është ai në Durrës.
Mediat në vend raportojnë se ekziston rreziku i një skenari si në Itali, ku një paciente e vetme mund të ketë infektuar 30 mjekë dhe infermierë por edhe pacientë të tjerë.
Ndërsa ende nuk ka një konfirmim nga spitali i Durrësit apo Ministria e Shëndetësisë, Balkanweb shkruan se e moshuara u paraqit në spitalin e Durrësit më datë 3 mars dhe u shtrua në patologji për probleme të rënda me frymëmarrjen. Ajo kishte ardhur nga Bolonja, një nga zonat më të prekura në Itali, ka zbritur në aeroportin e Rinasit dhe më pas ka udhëtuar drejt Durrësit, por një fakt të tillë nuk ua kishte treguar mjekëve.
Vetëm 3 ditë pasi ishte kthyer nga Italia, gruaja është ndjerë keq dhe ka shkuar në spital me këmbët e saj. 75-vjeçarja ka marrë mjekim për pneumoni, ndërsa pas shtatë ditësh gjendja e saj u përkeqësua. Vetëm atëhere mjekët kanë bërë testin nëse gruaja ishte infektuar me koronavirus dhe Ministria e Shëndetësisë zbuloi dje se rezultatet kanë dalë pozitive. Ajo tani ndodhet në reanimacion.
Gjatë kësaj kohe gruas i kanë shërbyer plot 30 mjekë dhe infermierë, të cilët janë alarmuar pas rezultateve.
I gjithë stafi që i ka shërbyer të moshuarës i është nënshtruar analizave përkatëse, rezultatet e të cilave pritet të dalin sot.
Një gabim i tillë mendohet se është bërë shkaku kryesor për përhapjen e madhe të infeksionit në Itali në nivelin e epidemisë.
Mjaftoi një gabim në protokollin e spitalit Codogno, në Lodi, një qytezë e Lombardisë, për të përhapur infeksionin.
Më 16 shkurt në spitalin e Lodit paraqitet një burrë 38 vjeç me temperaturë të lartë. Mjekët nuk dyshuan për koronavirus, vetëm sepse ai nuk kishte vizituar asnjë nga vendet e prekura, dhe nuk e mbajtën për trajtim.