Në një deklaratë për mediat ku dha lajmin se dy raste të reja janë konfirmuar me koronavirus në vend, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli i është përgjigjur dhe shqetësimit të gazetarëve lidhur me të dhënat e udhëtarëve që mund të kenë qëlluar në të njëjtin fluturim me persona të infektuar.
Rakaçolli tha se marrja e të dhënave të të gjithë udhëtarëve kur fluturimet me Italinë ishin të lejuara dhe jo të pezulluara, shërbejnë në këtë kohë, për të identifikuar rrugëtimin që ka bërë një person që mund të rezultojë sot me koronavirus.
“Se sa veta vijnë, lëvizja ka qenë e lirë.Sa veta vijnë, ata mund të jenë të shëndetshëm. Ne që në fillim kemi kërkuar skedat e udhëtarëve. Në rast se do dalë një person që ka udhëtuar me avion, do dali skeda e tij dhe do shohim historikun e udhëtimit, me kë ka udhëtuar me avion edhe vendin nga vjen. Këtë e kemi parashikuar që në fillim.”– tha Rakaçolli.
Kjo masë nuk ia lë përgjegjësinë vetëm qytetarit për të treguar nëse ka qenë apo jo në ndonjë nga zonat e kuqe të Italisë apo në shtet tjetër.