Vendosni fjalën kyçe....

Edi Rama: Administrata nesër pushim për shkak të shtetrrethimit


Një tjetër masë e re e njoftuar nga kryeministri Edi Rama për frenimin e përhapjes së koronavirusit, është që administrata publike nesër do e ketë pushim për shkak të shtetrrethimit të Tiranës e Durrësit.

Rama theksoi se punonjësit e aeroportit dhe të institucioneve shtetërore që kryejnë funksone të domosdoshme duhet të akreditojnë emrat e tyre pranë drejtorisë së Policisë.

“Nesër administrata shtetërore do të jetë pushim. Për kryerjen e detyrës në shërbimet shtetërore ose publike brenda perimetrit tr-dr, gjatë periudhës së “shtet-rrethimit” të fundjavës, punonjësit e aerportit apo të institucioneve të tjera shtetërore që kryejnë funksione të domosdoshme dhe e kanë të pamundur lëvizjen në këmbë, duhet të akreditohen pranë drejtorisë së përgjithshme të policisë së shtetit, emër për emër.

Marrja në automjetin e punës e personave të familjes apo personave të tjerë që s’kanë lidhje me detyrën shtetërore është rreptësisht e ndaluar dhe do të ndëshkohet me sanksione të rënda.” – shkruan Rama.

Rama më herët u kërkoi mediave audiovizive që të akreditojnë automjetet e trupave të tyre gjatë kësaj periudhe 3-ditore, që ai e quan ‘shtetrrethim’.

Duke nisur nga dita e premte, në orën 06:00 të mëngjesit deri ditën e dielë në mesnatë do të mbyllet transporti jo vetëm ndërurban por edhe i mjeteve private në drejtim të Tiranës e Durrësit, apo anasjelltas nga këto dy qytete drejt qyteteve të tjera.

Po ashtu do ndalohet qarkullimi me mjete private edhe brenda Tiranës e Durrësit, duke i vendosur dy qytetet praktikisht në karantinë.

Lëvizja e mjeteve private dhe urbanëve nuk do të lejohet as në Lushnjë, Elbasan, Fier, Vlorë, Shkodër dhe Lezhë.

Të vetmet automjete që do të lëvizin do të jenë autoambulancat, automjetet që kryejnë funksione shërbimi shtetëror dhe ato që transportojnë mallra. Ky vendim vjen pasi vendi ka regjistruar 23 raste me koronavirus, një prej të cilëve ka ndërruar jetë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *