Vendosni fjalën kyçe....

Grupi i PS-së kallëzon penalisht Sali Berishën: Përhapi panik


Grupi parlamentar i Partisë Socialiste, ka kallëzuar penalisht ish-kryeministrin Sali Berisha nën akuzën se ka përhapur informacione të rreme në një kohë kur vendi po përballet me krizën e koronavirusit.

Lajmi është bërë i ditur nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

“Këto ditë të emergjencës kur duhet të gjithë të zbatojnë udhëzimet, vendimet dhe urdhrat e qeverisë dhe ekspertëve, më i rrezikshëm se koronavirusi është përhapja e panikut. Dhe më e ndyrë se përhapja e panikut, është përhapja e qëllimshme e panikut.

Në Shqipëri këtë fushatë të turpshme po e udhëheq Sali Berisha, e pas tij “turisti” i emëruar në krye të SHQUP. Facebook-u i Sali Berishës është një makinë paniku që punon 24 orë me ligësi dhe këmbëngulje për të terrorizuar qytetarët.
Sapo është depozituar në Prokurorinë e Përgjithshme, kallzimi penal i deputetëve të Komisionit të Shëndetësisë në Kuvendin e Shqipërisë, për veprën penale “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”, parashikuar nga Neni 267 i Kodit Penal, kundër shtetasit Sali Berisha, i biri i Ram dhe Sheqere, i datëlindjes 15.10.1944 lindur në Tropojë e banues në Tiranë.”- shkruan Balla.

Deputeti socialist vijon më tej duke thënë se ka besim tek Prokuroria, që do veprojë me shpejtësi lidhur me rastin.

“Ne dhe publiku shqiptar kemi besimin se institucioni i Prokurorisë, në bashkëpunim me gjykatën dhe kushtëzimet proceduriale, do të veprojë në mënyrë të shpejtë, efikase dhe pa ngurim, dhe presim me vëmendjen maksimale dhënien rrugë të këtij kallëzimi sipas procedurës përkatëse.
Çdo veprim i Drejtësisë në respekt të ligjit, nuk është thjeshtë një përgjigje ndaj veprimeve të qëllimshme panikuese të të akuzuarit, por është edhe shprehje e ushtrimit të detyrës institucionale dhe qytetare në mbrojtje të jetës dhe sigurisë publike, si dhe të vlerave e parimeve të lirisë së fjalës, demokracisë funksionale dhe shtetit të së drejtës. Deputetët që kanë paraqitur kallzimin, shprehin gatishmërinë për t’u vënë dispozicion të veprimeve hetimore në çdo moment, të bindur se Prokuroria do të angazhohet seriozisht për hetimin e të akuzuarit dhe për ta vënë atë para drejtësisë sipas kompetencave dhe procedurës së parashikuar nga ligji.”– përfundon Balla. Ai e ka shoqëruar postimin edhe me një publikim të Berishës, që sipas tij është i rremë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *