Vendosni fjalën kyçe....

Kisha Katolike merr masa për koronavirusin: Pezullojmë aktivitetet dioqezane dhe ato famulltare


Masat për frenimin e koronavirusit i cili tanimë është shpallur zyrtarisht nga OBSH si pandemi, kanë prekur edhe Kishën Katolike.

Përmes një dekreti, ipeshkvinjtë e Kishës Katolike në Shqipëri, kanë vendosur të pezullojnë të gjitha aktivitetet dioqezane dhe aktivitetet famulltare.

“Fort të dashur meshtarë, rregulltarë dhe rregulltare, besimtarë,
Duke vlerësuar situatën e ditëve të fundit e krijuar nga Covid-19 në Shqipëri, duke pasur parasysh urdhëresën nr. 132, datë 08.03.2020, të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes Sociale, po ashtu Letrën e Konferencës Ipeshkvore të datës datës 29 shkurt 2020, duke vlerësuar përvojën e kishave simotra në vende të tjera, pas konsultimit me specialistë të fushës e duke i thirrur sensit të përgjegjësisë si Ipeshkëvinj të Kishës Katolike në Shqipëri:
Dekretojmë
Pezullimin e të gjithë aktiviteteve dioqezane dhe famullitare në Kishën Katolike në Shqipëri në të cilat parashikohet pjesmarrja dhe grumbullimi i popullit deri me datë 3 prill 2020”– thuhet në njoftim.

Sipas dekretit kjo do të thotë:

  • Pezullimin e të gjitha kremtimeve liturgjike, përfshirë Meshën e Shenjtë;
  • Pezullimin e katekizmit, për fëmijë e të rritur;
  • Pezullimin e të gjitha aktiviteteve të tjera të programuara, dioqezane dhe famullitare, me fëmijët dhe të rriturit;
  • Pezullimin e të gjitha kurseve të formimit pranë qëndrave tona komunitare.

Ipeshvinjtë ftojnë famullitarët që:

  • të kremtojnë Meshën në kapelat e tyre, duke e transmetuar atë edhe online nëpërmjet rrjeteve sociale;
  • të garantojnë rrëfimin personal duke ruajtur distancat e duhura e duke garantuar edhe sekretin e bisedës;
  • të garantojnë marrjen e Kungimit për të sëmurët që e kërkojnë në shtëpi dhe për ata të pranishëm, gjithmonë duke ruajtur rregullat e vendosura nga organet e shëndetësisë;
  • të garantohet Sakramenti i Vajimit për të sëmurët në rastet kur kërkohet, duke ndjekur rregullat e duhura higjenike;
  • të garantohen funeralet duke shmangur mbledhjen e popullit, por duke bërë lutjen në momentin e mbylljes së arkivolit dhe në momentin e vendosjes në varr;
  • kishat të rrinë të hapura për lutjen personale gjatë ditës, duke informuar dhe këshilluar njerëzit që të mbajnë distancën e duhur nga njëri-tjetri.

Ipeshkvinjtë i ftojnë të gjithë besimtarët që të zbatojnë rregullat dhe udhëzimet e nxjerra nga organet përkatëse për përballimin e situatës.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *