Vendosni fjalën kyçe....

Kompania Vodafone bëhet instrument i sulmeve të Edi Ramës kundër medias


Kompania Vodofane ka detyruar, sot pasdite, abonentët e saj të dëgjojnë një mesazh audio të Kryeministrit Rama, me “këshilla” për t’u mbrojtur nga koronavirusi, para telefonatave thirrëse apo marrëse të tyre.

Çdo abonenti Vodafone që thërret çfarëdo numri tjetër në çdo operator, Vodafone i vë herë pas here të dëgjojë një mesazh audio të Ramës para se ta lidhe me numrin e thirrur. Gjithashtu, personat, nga çdo operator, që telefonojnë një numër Vodafone, Vodafone i detyron herë pas here të dëgjojë mesazhin e Ramës para se t’i lidhë ata me abonentin e saj.

Mesazhet shfaqen në mënyrë të rastësishme, një herë në disa telefonata.

Mesazhi audio i Ramës ka patur ndër të tjera një sulm ndaj mediave: “ruajuni mediave” është një nga këshillat që jep Edi Rama në mesazh si masë të luftës kundër koronavirusit.

Është një sulm i ulët i Kryeministrit ndaj lirisë së shprehjes dhe të medias.

Por është një shkelje flagrante e etikës, standardeve profesionale dhe ndoshta edhe ligjit të privatësisë nga ana e kompanisë Vodafone, e cila është bërë bashkëpunëtore me Ramën në sulmin ndaj lirisë së mediave.

Ligji i Ruajtjes së Privatësisë lejon përdorimin e numrave për qëllime të mjeksësisë parandaluese por kërkon që ky përdorim duhet bërë nga persona të autorizuar të sistemit të mjekësisë dhe insitucione publike të certifikuara për ruajtjen e të dhënave.

Në këtë rast, mund të supozohet se përdorimin e ka bërë vetë Vodafone, pra ajo nuk ia ka dhënë numrat stafit të Kryeministrit, por ka futur teknikisht mesazhin audio të Kryeministrit tek abonentët.

Sidoqoftë, veprimi Vodafone duhet të hetohet menjëherë nga entet rregullatore.

Ne telefonuam disa herë në dy numra kontakti të publikuar në faqen në rrjet të Vodafone, por askush nuk u përgjigj dhe asnjë nga numrat nuk jepte mundësinë e lënies së një mesazhi.

Duket se kompania që e konsideron veten prijës të telefonisë në Shqipëri nuk ka vetë një njeri që t’i përgjigjet telefonit.

VINI RE: Ky lajm është pronësi intelektuale e Exit


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *