Pasi një lojtar u konfirmua me koronavirus, Juventusi nga sot do të futet në izolim. Siç shkruajnë mediet italiane, Daniele Rugani është futbollisti i parë i Serisë A, i konfirmuar me koronavirus.
Pas këtij lajmi, klubi i Juventus-it njoftoi se do të jetë në izolim vullnetar, duke ndaluar në mënyrë kategorike stërvitjen në më pak se një javë nga fillimi i ndeshjes së dytë të raundit të 16-të të Champions League kundër Lyon-it.
Ndeshja e fundit në të cilën Rugani mori pjesë ishte ajo kundër Interit të dielën e kaluar (ndeshje e kaluar plotësisht në pankinë). Përveç lojtarëve të Juventusit, padyshim ata të Interit do të futen edhe në izolim.
“Inter njofton se, pas njoftimit të Juventusit në lidhje me rezultatin pozitiv me Covid – 19, të lojtarit Daniele Rugani, të gjitha aktivitetet konkurruese janë pezulluar deri në njoftimin e mëtejshëm”- njoftoi dhe klubi i Interit. Më tej në njoftim thuhet se klubi po merr hapa për të zbatuar të gjitha procedurat e nevojshme.
Në këtë pikë, Liga e Kampionëve, është në rrezik të madh. Sfida midis Barcelonës dhe Napolit gjithashtu rrezikon të mos zhvillohet. Spanja ka mbyllur fluturimet me Italinë, dhe nuk ka as një vend asnjanës që mund të presë skuadrat.