Të gjithë shtetasit shqiptarë e të huaj që kanë hyrë në vend 15 ditët e fundit dhe vijnë nga zona të prekura nga koronavirusi duhet të vetëizolohen për të shmangur sanksionet e qeverisë.
Deklarata ka ardhur nga drejtori i policisë, Ardi Veliu, i cili ditën e sotme dha një deklaratë për mediat nga terreni, në një nga 66 pikat e kontrollit që sipas tij janë ngritur në mbarë vendin.
‘Në kuadër të masave për kontrollin dhe evidentimin e të gjithë shtetasve shqiptarë apo të huaj të cilët 5 ditët e fundit kanë hyrë në Shqipëri nga zonat të cilat janë të evidentuara si të prekura nga koronavirusi qysh prej ditës së djeshme Policia e Shtetit në bashkëpunim me forcat e Policisë Ushtarake jan duke kryer kontrolle në 66 pika, kryesisht në Tiranë, Durrës, Lezhë, Shkodër, Elbasan, Lushnjë, Fier e Vlorë.’ – tha Veliu.
Ai shtoi se verifikimi bëhet nëpërmjet sistemit TIMS dhe nëpërmjet tabletave të gjitha pikat e kontrollit të ngritura kanë mundësinë të zbulojnë hyrjen në teritorin e Shqipërisë të kujtdo.
‘Nëpërmjet sistemit TIMS bëhet i mundur zbulimi i të gjithë personave që janë futur bashkë me numrat e telefonit dhe më pas këshillimi i tyre të vetëizolohen. Në rast se këta qytetarë nuk bëjnë vetëkarantimin atëherë do aplikohet gjoba 5 mijë euro. Por dua t’u bëj thirrje që të mos marrin guximin e të dalin nëpër qytet sepse nuk do ketë tolerancë.’ – shtoi kreu i policisë.