Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar nga detyra prokurorin Arben Dollapaj, i cili e kishte kaluar Vettingun në shkallën e parë. Ai është bërë anëtari i dytë i KLP-së që shkarkohet, pas Besnik Canit.
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, përbëhej nga Ardian Hajdari kryesues, Luan Daci relator, Albana Shtylla, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë.
Pas ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik, KPA vendosi shkarkimin e prokurorit.
“Në përfundim të gjykimit, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve e prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, trupi gjykues, në mënyrë unanime, vendosi:
Ndryshimin e vendimit nr. 63 datë 06.08.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Arben Dollapaj, prokuror, në momentin e fillimit të procesit të rivlerësimit, anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë në momentin e shpalljes së këtij vendimi.
Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.”- thuhet në njoftimi e KPA-së.
Komisioneri Publik kërkoi të verifikohej edhe një herë pasuria e Dollapajt, i cili e kaloi Vettingun më 6 gusht 2018. Sipas Komisionerit Publik, procesi i hetimit, i kryer nga Komisioni për kriterin e vlerësimit të pasurisë nuk ka qenë i plotë e për rrjedhojë përfundimet e arritura nuk janë në pajtueshmëri me provat e administruara.