Vendosni fjalën kyçe....

Tirana e Durrësi 3 ditë në karantinë, Rama: Mediat të akreditojnë automjetet e tyre


Pas vendimit për të ndaluar qarkullimin e mjeteve private në Durrës e në Tiranë për shkak të koronavirusit, kryeministri Edi Rama ka sqaruar se çdo të bëhet me automjetet e mediave.

Rama u kërkoi mediave audiovizive që të akreditojnë automjetet e trupave të tyre gjatë kësaj periudhe 3-ditore, që ai e quan ‘shtetrrethim’.

“Për të kryer shërbimet e tyre informative gjatë “shtet-rrethimit” të fundjavës brenda perimetrit Tr-Dr mediat televizive duhet të akreditojnë automjetet e trupave të tyre, pranë drejtorisë së përgjithshme të policisë së shtetit në Tiranë.

Ndjesë 1000 herë po kjo luftë nuk fitohet ndryshe”- shkruan Rama.

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi më herët shtrëngim të masave për të frenuar përhapjen e koronavirusit në vend. Rama shkruan se duke nisur nga dita e premte, në orën 06:00 të mëngjesit deri ditën e dielë në mesnatë do të mbyllet transporti jo vetëm ndërurban por edhe i mjeteve private në drejtim të Tiranës e Durrësit, apo anasjelltas nga këto dy qytete drejt qyteteve të tjera.

Po ashtu do ndalohet qarkullimi me mjete private edhe brenda Tiranës e Durrësit, duke i vendosur dy qytetet praktikisht në karantinë.

Lëvizja e mjeteve private dhe urbanëve nuk do të lejohet as në Lushnjë, Elbasan, Fier, Vlorë, Shkodër dhe Lezhë.

Të vetmet automjete që do të lëvizin do të jenë autoambulancat, automjetet që kryejnë funksione shërbimi shtetëror dhe ato që transportojnë mallra. Ky vendim vjen pasi vendi ka regjistruar 15 raste me koronavirus, një prej të cilëve ka ndërruar jetë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *