Bashkimi Europian thotë se do të paguajë deri në 2 mijë euro për migrantët që qëndrojnë në kampet e mbipopulluara në ishujt grekë, në rast se ata pranojnë të kthehen në vendet e tyre të lindjes.
Komisionerja e Çështjeve të Brendshme të BE-së, Ylva Johansson njoftoi për skemën e re në Athinë, të enjten. Për këtë pati një dakordësi me qeverinë greke, shkruan BBC.
Johansson tha se kjo ishte e përkohshme, një mundësi që qëndron e hapur vetëm për një muaj dhe bëhet vetëm për migrantët që arritën në Greqi para 1 janarit.
Komisionerja tha se 5,000 migrantë do të kishin të drejtë të përfitonin secili nga 2 mijë euro për “kthimin vullnetar”.
Këtë muaj, qindra migrantë dhe refugjatë kanë arritur në ishujt grekë afër Turqisë me varkë, duke rritur presionin në qendrat e pritjes. Kampet në ato ishuj kanë tashmë afro 42,000 azilkërkues, megjithëse ishin krijuar për vetëm rreth 6,000 të tillë.
Agjensia e Ndihmës MSF, e cila po punon në ishuj, thotë se më shumë se 14,000 e migrantëve janë fëmijë.
“Burra, gra dhe fëmijë po jetojnë në kushte të tmerrshme në këto qendra të mbipopulluara, në frikë të vazhdueshme dhe me qasje shumë të pakët në shërbime si tualeti, dushi, energjia elektrike”, tha për BBC-në Stephan Oberreit, kreu i misionit të MSF-së në Greqi.
Zonja Johansson tha që shtatë vende anëtare të BE-së kishin rënë dakord të marrin të paktën 1.600 fëmijë të shoqëruar nga kampet.
Shumë prej migrantëve janë sirianë që ikin nga lufta civile, por ka edhe afganë, pakistanezë dhe afrikano perëndimorë.