Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shpallur emergjencën kombëtare lidhur me pandeminë e koronavirusit.
Pas kësaj mase, ai ka zhbllokuar kompetenca e fonde shtesë për reagimin ndaj katastrofave, në një përpjekje për të frenuar sëmundjen.
‘Unë jam duke deklaruar zyrtarisht një emergjencë kombëtare.’ – tha Trump nga Shtëpia e Bardhë duke vënë në dispozicion 50 miliardë dollarë për të frenuar përhapjen e sëmundjes.
Ai shtoi se kërkon nga çdo spital në vend të aktivizojë planet e urgjencës dhe urdhëroi çdo shtet të krijojë qendra të operacioneve të urgjencës.
Shpallja e emergjencës kombëtare vjen pasi 20 shtete amerikane kanë raportuar prekje nga COVID-19. Këto deklarata nuk paraqesin një lloj ligji luftarak, por kryesisht zhbllokojnë fonde shtesë dhe mandatojnë përgjigje specifike nga agjencitë qeveritare.
Sipas autoriteteve, që prej mëngjesit të së premtes në vend ka pasur 1.215 raste të konfirmuara të COVID-19 me 36 viktima.