Vendosni fjalën kyçe....

I shërbeu gruas që ndërroi jetë, konfirmohet me koronavirus një mjek në Durrës


Sipas të dhënave më të fundit të konfirmuara nga Ministria e Shëndetësisë, një mjek i spitalit të Durrësit është konfirmuar me koronavirus.

Pas vdekjes së gruas së moshuar në Durrës e cila kishte qëndruar për disa ditë në spital, pa u testuar për koronavirus, u ngrit alarmi për shëndetin e personelit mjekësor të spitalit.

Por sipas Ministrisë së Shëndetësisë, nga 39 mjekë e infermierë, vetëm njëri ka rezultuar pozitiv.

“Siç ju kemi bërë të ditur në daljet e mëparshme, pas testimit të kampionit të parë të 50 mjekëve dhe infermierëve në spitalin e Durrësit të cilët rezultuan negativë, ISHP ka vazhduar me gjurmimin e kontakteve, marrjen dhe testimin e mostrave të reja të stafit mjekësor në Spitalin Rajonal Durrës.
Në bazë të rezultateve që tashmë kanë dalë, nga kampioni i dytë i mostrave të marra, 39 mostra të mjekëve, infermierëve dhe pacientëve, vetëm 1 mjek rezulton pozitiv, i cili nuk ka simptoma, aktualisht është i vetëizoluar dhe po hulumtohet më tej. Gjithsej janë kryer 89 testime në spitalin e Durrësit.
Nga numri total i të prekurve nga COVID-19 janë 25 persona të vetëizoluar në gjendje të mirë shëndetësore dhe 177 të vetëkarantinuar”- tha zv.ministrja e Shëndetësisë.

Ndërkohë priten rezultatet e testimeve të 50 personave të tjerë.

Deri në këto momente në Shqipëri janë konfirmuar pozitivë me COVID-19, 33 raste, 8 prej të cilëve janë të shtruar në spitalin Infektiv (nga Tirana, Durrësi, Fieri dhe Rrogozhina). Ndërsa 25 raste janë të vetëizoluar në gjendje të mirë shëndetësore dhe që po qëndrojnë në shtëpi./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *