Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti i Madeira-s e konfirmon: Ronaldo nuk ka koronavirus


Cristiano Ronaldo nuk është i infektuar me koronavirus pavarësisht se po qëndron në karantinë në Madeira.

Kështu ka deklaruar presidenti i ishujve portugezë, Miguel Albuquerque.

Lojtari i Juventusit do të mbetet në shtëpi pasi frika nga infeksioni është ende e madhe, me Italinë që vijon të jetë e mbyllur.

Shoku i skuadrës së Ronaldos, Daniele Rugani u bë lojtari i parë në Serinë A që u infektua me koronavirus. Më pas Paulo Dybala gjithashtu është raportuar në media se kishte rezultuar pozitiv, informacion që Juventus e ka mohuar.

Klubi italian konfirmoi që 121 lojtarë dhe stafi kanë kaluar në izolim, pas konfirmimit të Ruganit.

Ronaldo fillimisht fluturoi në shtëpinë e tij në Madeira pas ndeshjes me Interin, për të vizituar nënën e tij Dolores, e cila në fillim të këtij muaji pësoi një goditje në tru.

Por ai tani nuk është në gjendje të kthehet në Itali, për shkak të kufizimeve të rrepta të lëvizshmërisë në të gjithë kontinentin.

Në Itali kishte raportime se edhe Ronaldo është infektuar, por sipas Daily Mail këto raportime janë të rreme.

Presidenti i qeverisë rajonale të Madeira-s, Miguel Albuquerque i pyetur për rastin e futbollistit tha: “Unë nuk mund të flas për këtë çështje për arsye të mbrojtjes së të dhënave, por dua të them që situata është analizuar siç duhet dhe, në këtë kohë, është e garantuar që nuk ka mundësi të infeksionit.”

Ndërkohë sekretari rajonal i shëndetësisë Pedro Ramos konfirmoi: “Si atleti ashtu edhe familja e tij janë asimptomatikë.”

Pavarësisht se ka mbetur në vendlindje, Ronaldo është në kontakt të përditshëm me stafin mjekësor të Juventusit dhe po stërvitet në palestrën e tij personale.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *