Vendosni fjalën kyçe....

Vizituan të moshuarin e kthyer nga Italia, 11 mjekë në Kosovë në karantinë


Një ekip i Emergjencës në Komunën e Vitisë në Kosovë, është detyruar të futet në karantinë pasi ka kontrolluar një 80-vjeçar i cili është kthyer nga Italia dhe dyshohet për koronavirus.

Lajmi është konfirmuar nga kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i cili ka thënë se gjendja shëndetësore e personave në fjalë është e mirë, por se duhet pritur rezultatet.

 “Mbrëmë ka ardhur një 80 vjeçar nga Italia dhe ka pasur probleme shëndetësore. Emergjenca e ka dërguar në Gjilan pasi kanë dyshuar për shkak se ka ardhur nga Italia.

Ne duhet të presim deri në ora 15:00 për analizat. Natyrisht se janë ndërmarrë të gjitha masat preventive. E kemi dërguar në karantinë ekipin mjekësor që e ka kontrolluar pacientin në fjalë.

Gjendja e tyre shëndetësore është e mirë, por duhet pritur rezultatet e analizave.”- tha ai për Klan Kosova.

Kryetari i Komunës kërkoi ndihmë nga pushteti qendror për të marrë të gjitha masat parandaluese në këtë komunë.

 “Na nevojitet furnizim më i madh me dezinfektues për duar, doreza, veshje adekuate dhe natyrisht dezinfektues të emergjencës”– tha Haliti.

Sipas gazetës Express, bëhet fjalë për 11 mjekë.

Drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Vjollca Kodoni tha se në fillim i moshuari dyshohej për grip, por pasi ai është dërguar në Prishtinë me dyshimet për koronavirus janë marrë masa për mbylljen e qendrës së emergjencës.

“Po, është shumë e vërtetë që është mbyll emergjenca në Viti. ka qenë një rast dmth që është i dyshuar, ka shku prej neve në Gjilan si grip, pra si gjendje gripoze. Nuk është dyshu që është i prekur me koronavirus, pra është dyshu veç për gjendje gripoze, por në bazë të informative jo zyrtare kemi marrë vesh që rasti ka shkuar në Prishtinë, për dyshim me virus. Prandaj ne si kemi ardhur sot në mëngjes, kemi mbyllë emergjencën dhe e kemi ba pastrimin dhe aktualisht jemi duke funksionuar në objektin tjetër”, ka thënë ajo.

Deri tani në Kosovë nuk ka asnjë rast të konfirmuar zyrtarisht me koronavirus dhe nëse testimi del pozitiv, i moshuari i lartpërmenduri do të jetë i pari.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *