Vendosni fjalën kyçe....

Euroleaks/ Ish-ministri grek publikon regjistrimet sekrete të negociatave me Eurogrupin


Ish-ministri i Financave i Greqisë, Yanis Varoufakis, ka publikuar një grup përgjimesh audio, të regjistruara në fshehtësi në vitin 2015 gjatë bisedimeve të shpëtimit të financave të Athinës me Eurogrupin – një grup i fuqishëm i shefave të financave të eurozonës.

Regjistrimet dhe kopjet e tyre u botuan nga Varoufakis në faqen e internetit të partisë së tij ‘pan-Europiane’ DiEM25 të shtunën. Dosjet e emërtuara ‘Euroleaks ’ u regjistruan mes shkurtit dhe korrikut 2015, kur Athina e bllokuar nga mungesa e parave u përfshi në bisedime ‘të dhimbshme’ me kreditorët e saj.

Në vitin 2015, Varoufakis ishte kryenegociatori për partinë në pushtet në atë kohë, Siriza, duke negociuar me Eurogrupin dhe ata që qëndronin pas saj – të ashtuquajturat ‘trojka’. Ajo përfshinte tre huadhënësit kryesorë të kombeve të eurozonës – Komisionin Europian, Bankën Qendrore Europiane dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Ndërsa Eurogrupi është de-jure një grup joformal, ai është në të vërtetë një institut i fuqishëm vendimmarrës që nuk ka përgjegjësi dhe transparencë dhe nuk mban të dhëna. Qëllimi kryesor në publikimin e regjistrimeve është të hedhë dritë në veprimtaritë e tij të fshehta, tha Varoufakis në një video teksa njoftonte Euroleaks.

Huadhënësit mbajtën një qëndrim të ashpër, ndaj Greqisë me mundësinë ‘pranojeni marrëveshjen ose lëreni’, duke e paraqitur atë në mënyrë efektive me një ultimatum. Në të njëjtën kohë, ata fajësuan negociatorët grekë për bisedimet e ngecura dhe asnjë regjistrim nuk ishte në dispozicion për të ballafaquar palët.

‘Ju do të dëgjoni presidentin e atëhershëm të Eurogroupit, Jeroen Dijsselbloem dhe ministrat e tjerë që më paralajmërojnë se nëse do guxoj të paraqisja propozime të shkruara gjatë takimeve të Eurogrupit, ky do të ishte fundi i negociatave.’ – tha Varoufakis.

‘Në të njëjtën kohë ata po bënin deklarata në shtyp se unë po shkoja në mbledhjet e Eurogrupit pa ndonjë propozim.’

Përveç sjelljes në vëmendje të ‘veprimit të pakursyer nga një grup politikanësh të pazgjedhur që ndikojnë gjatë gjithë jetës sonë’, publikimet shërbejnë gjithashtu edhe një qëllim tjetër.

Vendosja në domenin publik të regjistrimeve sekrete ka për qëllim luftimin e përpjekjeve të qeverisë në detyrë greke ‘për të përdorur si armë lajmet e rreme’, prodhuar nga Eurogrupi në vitin 2015 për të justifikuar masat e reja shtrënguese për vendin, tha Varoufakis.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *