Vendosni fjalën kyçe....

Mjekët në frontin e luftës me koronavirusin, rastet e konfirmuara deri tani në vend


Dy mjekë në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë janë konfirmuar sot se janë prekur nga koronavirusi. Lajmi u dha nga Ministria e Shëndetësisë e cila zbuloi se mjekët ishin kujdesur për pacientë të infektuar.

“Në Institutin e Shëndetit Publik janë testuar deri në këto momente 17 personel shëndetësor, kontakt të të sëmurit të sëmurit të identifikuar me COVID-19 në spitalin “Shefqet Ndroqi”, i cili aktualisht po trajtohet në spitalin Infektiv. Rezulton se 2 prej tyre, personel shëndetësor kanë rezultuar pozitivë. Janë pa simptoma, në gjendje të mirë shëndetësore dhe të vetëizoluar.
Po zhvillohet një hetim epidemiologjik për këto raste.”– lajmëroi Ministria e Shëndetësisë.

Mirëpo këta dy mjekë nuk janë të vetmit që janë konfirmuar me koronavirus në vend.

Vetëm dy ditë më parë, u dha lajmi se një mjek i spitalit të Durrësit është konfirmuar me koronavirus duke u bërë zyrtarisht pari mjek i prekur nga Covid-19 në Shqipëri.

Pas vdekjes së gruas së moshuar në Durrës e cila kishte qëndruar për disa ditë në spital, pa u testuar për koronavirus, u ngrit alarmi për shëndetin e personelit mjekësor të spitalit. Por sipas Ministrisë së Shëndetësisë, deri tani vetëm njëri ka rezultuar pozitiv.

Lidhur me mjekët e spitalit të Durrësit, ka patur deklarata kontradiktore nga Ministria e Shëndetësisë. Pasi u ngrit shqetësimi për shëndetin e mjekëve e infermierëve, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu dhe kryeministri Edi Rama u nxituan duke dalë në një deklaratë të përbashkët dy ditë më parë, për të thënë se asnjë mjek apo infermier i spitalit të Durrësit nuk është infektuar. Madje ata deklaruan se po jepnin “një lajm të gëzuar”, ndërsa dënuan sipas tyre propagandën që po përhap panik. E vetëm dy ditë më pas, Manastirliu nuk doli vetë por nxorri zv.ministren Mira Rakaçolli për të dhënë lajmin e keq se një mjek i këtij spitali është konfirmuar me koronavirus.

Zv.ministrja tha se nga 39 mjekë e infermierë që janë testuar në 24 orët e fundit, vetëm njëri ka rezultuar pozitiv e shtoi se priten rezultatet e testimeve të 50 personave të tjerë.

Është e paqartë se pse mjekët në Durrës janë testuar pjesë-pjesë, kur vetëm pasi pak kohë më parë specialistja e Shëndetit Publik Silva Bino, e ftuar në emisionin “Opinion” tha se laboratori i ISHP-së mund të kryejë deri në 300-500 testime në ditë për koronavirusin. Ndërkohë që testimet për mjekët e Durrësit nuk i ka mbuluar njëkohësisht edhe pse ISHP i paska kapacitetet.

Urgjenca në Fier

Urgjenca në Fier

Ndërkohë shqetësime për gjendjen shëndetësore të mjekëve janë ngritur edhe në qytetin e Fierit, ku deri më tani janë konfirmuar 5 persona të prekur. Por asnjë mjek atje deri më tani nuk është konfirmuar i prekur.

Pas daljes pozitive të analizave të një 61-vjeçareje, janë vetëkarantinuar rreth 15 mjekë, infermierë dhe personel ndihmës të Spitalit Rajonal Fier.

Gruaja ishte kthyer në datë 6 mars nga Italia, nëpërmjet portit të Durrësit. Pasi ka patur probleme me shëndetin ajo është paraqitur  në spitalin e Fierit 5 ditë  pas kthimit, ku ka marrë ndihmë mjeksore pasi ka qenë me temperaturë  dhe është larguar për në shtëpi. Një ditë me vonë është paraqitur sërish me probleme në frymëmarrje, por nuk ka treguar që kishte qenë në Itali.

Mjekët e infermierët janë më të rrezikuarit për t’u prekur nga virusi Covid-19, për shkak se janë ata që ndodhen përditë në frontin e luftës me këtë koronavirus.

Pak ditë më parë, një mjek i urgjencës së QSUT-së denoncoi mungesën e pajisjeve mbrojtëse për personelin mjekësor të urgjencës.

Në një denoncim me zë e figurë të publikuar nga kreu i PD-së, Lulzim Basha, mjeku Ilir Allkja, tha se ata nuk janë pajisur me mjetet mbrojtëse të nevojshme për t’u përballur me rrezikun që vjen nga koronavirusi.

Ai shtoi se edhe vetë ishte vetëkarantinuar deri në daljen e analizave. Mirëpo pasi kryeministri Edi Rama dhe ministrja Ogerta Manastirliu e përgënjeshtruan lajmin duke akuzuar mjekun se po bëhej pjesë e propagandës së opozitës për të përhapur panik, Allkja u shkarkua.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, mbrëmjen e kaluar Allkja tregoi se atij i është komunikuar shkarkimi në mënyrë verbale pa i dhënë asnjë motivacion.

Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe shefin e Urgjencës, Skënder Brataj, se po hakmerren për shkak të denoncimit të tij.

Deri më tani, numri i personave të infektuar me virusin Covid- 19 në vend ka shkuar në 42 nga 38 që numëroheshin një ditë më parë. Harta e qyteteve të prekura nuk ka ndryshuar, vijojnë të jenë Tirana, Durrësi, Rrogozhina, Elbasani, Lushnja e Fieri./Hashtag.al

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *