Dhurata Çupi ka publikuar videon e një qytetari në Bulqizë, i cili nuk qëndron dot në karantinë por detyrohet të mbledhë kanaçe për shkak se i duhet të sigurojë bukën në tavolinë për fëmijët.
Sipas Çupit, kryeministri Edi Rama i ka lënë të varfrit në këtë situatë emergjente në dy alternativa: uria ose rreziku nga koronavirusi.
Ish-deputetja bën thirrje për miratimin në mënyrë urgjente të një pakete ndihme ekonomike dhe sociale për qytetarët.
“Sabiti jeton në Bulqizë duke mbledhur kanaçe tek mbetjet ushqimore në Qafë Buall. Ai e ka të pamundur, në kuptimin e plotë të fjalës, të qendrojë në karantinë, sepse i duhet të zgjedhë mes mundësisë për të mos u infektuar dhe urisë së sigurtë të fëmijëve. Dita kur ai nuk do të dalë të mbledhë kanaçe për të fituar 3 mijë lekë të vjetra në ditë, do të jetë dita e urisë për familjen. Fatkeqësisht, familjet si ajo e Sabitit, janë me mijëra në Shqipëri. Ndryshe nga sa predikon kryeministri, ata as nuk bëjnë dot joga, as nuk kanë luksin të ushqehen dot 2 herë në ditë.
Duke mos marrë asnjë masë që i ndihmon ata, qeveria i ka lënë më të varfrit të përballen vetëm me 2 alternativa: me koronavirusin ose me urinë.”– shkruan ish-deputetja demokrate.