Shqipëria rrezikon të ketë një prevalencë të lartë të jetëve të humbura nga Koronavirusi, për shkak se ka numrin më të ulët të trupës mjekësore për banorë në Europë dhe më pak pajisje mjekësore për të trajtuar pacientët e sëmurë rëndë. Në një skenar si Italia, mjekët profesionistë parashikojnë vështirësi për shkak të mundësive të kufizuara për të shpëtuar jetë. 740 shtretër në dispozicion për koronavirusin dhe 230 pajisje respiratore gjithsej. Financimet dhe kostot e trajtimit shëndetësor.
Sistemi ynë shëndetësor, edhe pa një emergjencë pandemie si koronavirusi, është i brishtë për të përballuar barrën e rëndë të sëmundjeve me të cilën Shqipëria po përballet në dekadën e fundit. Me numrin më të ulët të mjekëve për banorë sipas të dhënave nga Observatori Global i Shëndetit dhe me mungesë pajisjesh, Shqipëria do ta ketë të vështirë të përballojë një skenar italian. Mjekët, pa dashur të krijojnë panik, pohuan se një skenar italian në Shqipëri do të kishte prevalencë më të lartë të vdekjeve, se mesatarja e deritanishme.
Doktorët shqiptarë, në një fluks të mundshëm, do të jenë të detyruar të zgjedhin kush do të jetojë e kush jo, pasi pajisjet në dispozicion për frymëmarrjen artificiale dhe aparatet e dializës nuk janë në gjendje pune. Kapacitetet aktuale janë të zënë 60-80% edhe pa koronavirusin tha mjeku, duke lënë të nënkuptojë se nevoja që paraqet koronavirusi është më e madhe se logjistika jonë.
Arjan Mezini, Mjek Pneumolog në spitalin “Shefqet Ndroqi”, tha se qytetarët duhet të ndërgjegjësohen për të respektuar masat e marra kundër përhapjes së koronavirusit. Mezini paralajmëroi se nëse qytetarët shqiptarë vijojnë të mos respektojnë këshillat, do të kemi një kolaps më të madh se Italia.
Faza e parë, 740 shtretër për koronavirus
Në fazën e parë të përballimit të epidemisë së koronavirusit janë në dispozicion në fazën e parë 740 shtretër, nga të cilët 80 në pavijonin e infektivit në QSUT, 300 shtretër në spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe 340 shtretër në spitalin e Durrësit, sipas të dhënave të siguruara nga Task Forca. Siç është bërë e njohur edhe më parë nga Taks Forca pranë Ministrisë së Shëndetësisë, fillimisht do të shfrytëzohet Infektivi dhe më pas, në bazë të nevojave, do të vihet në dispozicion Sanatoriumi dhe më pas spitali i Durrësit.
Stafet mjekësore do të angazhohen sipas nevojave, por të parët në vijën e fronit janë infeksionistët dhe reanimatorët. Reanimatorët janë të nevojshëm për t’u kujdesur për të sëmurët rendë, kryesisht ata që do të kenë nevojë për frymëmarrje artificiale. Spitalet private, nga ana tjetër, janë solidarizuar për të bashkëpunuar me pajisje dhe ambiente. Drejtori i Spitalit Amerikan, Klodian Allajbeu, tha publikisht se do të vihen në dispozicion ambiente dhe pajisje dhe për këto është komunikuar me Task Forcën e Ministrisë së Shëndetësisë.
230 pajisje për intubim, 60-80% janë të zëna
Sipas të dhënave të posaçme nga stafet mjekësore në Shqipëri ka gjithsej 230 pajisje intubimi, të cilat sigurojnë frymëmarrje artificiale për pacientët e rënduar. Nga këto pajisje, rreth 80 të tilla i takojnë Spitalit Amerikan dhe rreth 150 të tjera i ka sistemi shëndetësor publik në Tiranë dhe në spitalet rajonale.
Por jo të gjitha këto kapacitete janë në gjendje pune. Në spitalin “Sheqet Ndroqi”, 4 nga këto pajisje jashtë janë jashtë funksionit. Por në rrethe dhe portalet rajonale, edhe pse ka pajisje intubimi, mungojnë mjekët reanimatorë.
Në një skenar italian, Shqipëria do të kishte më shumë humbje jete shpjegojnë mjekët. Aktualisht pajisjet e intubimit janë 1 për 20 mijë banorë, në raport me 1 për 12 mijë banorë që kishte Italia. Javën e fundit, Italia e çoi numrin e pajisjeve respiratore në 1 për 2 mijë banorë, ndërsa Gjermania ka një pajisje intubimi për 3500 banorë.
Nga të 230 pajisjet e intubimit gjithsej në shtet dhe në privat, ato aktualisht janë të zëna në 60-70%, për shkak të sëmundjeve të tjera si traumat, urgjencat dhe të sëmurët kronikë që nuk mund të lihen pas dore prej epidemisë së mundshme të Koronavirusit. Në të vërtetë, në dispozicion të koronavirusit për momentin janë katër pajisje në infektiv dhe katër në Sanatorium. Të tjerat gjenden në pavijonet e tjera, në spitalet rajonale dhe në Spitalin Amerikan, por shumica e tyre janë të zëna.
Mirëpo për t’i bërë ballë koronavirusit për rastet e rënduara nuk mjaftojnë vetëm pajisjet e intubimit, por duhen edhe pajisje të dializës. Te personat e rënduar, përveç mushkërive, dalin jashtë funksionit edhe veshkat. Për këtë arsye, duhen edhe pajisje dialize.
Trupa mjekësore, e pamjaftueshme. Shqipëria, me numrin më të ulët doktorëve në rajon. Shumë spitale rajonale kanë pajisje intubimi, por nuk kanë mjekë reanimatorë. Në tërësi, sistemi shëndetësor publik vuan nga numri i pamjaftueshëm i profesionistëve. Krahas mungesës së financimeve, mësohet se shkak për këto zhvillime është bërë edhe emigracioni i lartë i trupës shëndetësore jashtë vendit, sipas një analize të Ministrisë së Shëndetësisë.
Aktualisht janë 1.2 mjekë për 1000 banorë dhe raporti mami/infermierë është 3.6 për 1000 banorë. Edhe këto burime të pakta njerëzore në shëndetësi janë shpërndarë në mënyrë të pabarabartë. Sipas të dhënave nga Observatori Global i Shëndetit, Shqipëria ka numrin më të ulët të mjekëve për banorë në rajon. Greqia ka 6.2 mjekë për 1000 banorë, Maqedonia 2.8, Mali i Zi 2.3, Serbia 2.4 dhe Bosnja 1.8 mjekë për 1000 banorë. Rrjeti i kujdesit shëndetësor parësor konsiston në 413 qendra shëndetësore. Në Shqipëri funksionojnë 42 spitale publike. Megjithatë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, spitalet bashkiake ofrojnë me vështirësi shërbimet, kryesisht për arsye të mungesës së numrit të mjaftueshëm të mjekëve specialistë.
Spitalet universitare, të përqendruara në Tiranë, tërheqin një fluks pacientësh në rritje, për shkak të mungesës së shërbimeve në spitalet bashkiake e rajonale dhe anashkalimit ose mospërdorimit të sistemit të referimit.
Sipas një raporti të qeverisë shqiptare, emigrimi i specialistëve të shëndetësisë ka pakësuar burimet njerëzore për sistemin shëndetësor. Pas viteve 1990, forcat e punës të sektorit të shëndetësisë humbën një numër të konsiderueshëm të burimeve njerëzore, të cilët migruan jashtë vendit. Edhe brenda vendit kanë ndodhur dhe po ndodhin lëvizje nga zonat rurale për ato urbane, duke krijuar një qasje gjithnjë të pabarabartë ndaj kujdesit shëndetësor për popullatën.
Për pasojë, numri i mjekëve për banorë është në nivelet më të ulëta në Europë. Migrimi i madh i brendshëm nga zonat rurale në zonat urbane ka ndikuar në keqkonfigurimin e rrjetit të ofruesve të kujdesit shëndetësor ndaj nevojave të popullsisë. Trupa mjekësore prej zonave rurale, sidomos të thella, ka lëvizur drejt zonave urbane. Kjo lëvizje ka ndikuar edhe në ndryshimin e raporteve të mjekëve dhe infermierëve me popullsinë.
Stafet, të rrezikuara nga koronavirusi
Ashtu si edhe në vatrat më të mëdha të koronavirusit, Kinë dhe Itali ku stafet mjekësore ishin ndër të parët që u infektuan, në Shqipëri mundësitë janë edhe më të mëdha që kjo të ndodhë në vijim. Pacienti i ashtuquajtur zero e çoi në karantinë një mjeke në fillim të karrierës, e cila e vizitoi atë pa mjete. Ndërsa mjekët në shërbimin parësor dytësor po vizitojnë përditë pacientë që mund të jenë të infektuar, duke mos qenë në dijeni të rasteve. Nga burimet konfidenciale në QSUT një mjeke e sektorit publik është vetëkarantinuar, pasi ka vizituar një të sëmurë me koronavirus.
Por doktoresha në të njëjtën ditë ka vizituar edhe pacientë të tjerë, ndërsa mjekët në poliklinika vizitojnë përditë të dyshuar pa masa mbrojtëse.Një mjek në Durrës u deklarua zyrtarisht i infektuar. Ndërkohë në qendrat e shërbimit parësor dhe dytësor situata paraqitet kaotike. Mjekët në Klinikën e Specializuar të Mushkërive kanë pohuar se urgjenca ka autorizuar persona që dyshohen për Koronavirus për vizitë në ambientet e tyre.
Por ndërkohë në këtë poliklinikë, nuk ka asnjë udhëzim se si do të veprohet. Nuk është shpërndarë asnjë protokoll se si referohet një i sëmurë me koronavirus nga një i sëmurë me grip sezonal. Për më tepër, nuk ka masa mbrojtëse specifike, teksa në këtë klinikë janë dyndur për vizitë dhjetëra persona që dyshojnë se janë me koronavirus.
Të gjithë mjekët në këtë poliklinikë dhe i gjithë stafi mbështetës është i pambrojtur me veshje të posaçme.
Pas shpërthimit të koronavirusit në Kinë dhe Itali, Shqipëria kishte kohë që së paku të organizonte punën dhe të sqaronte protokollet në të gjithë zinxhirin e shëndetësisë, që nga shërbimi parësor deri tek spitalet.
Fonde të pakta në dispozicion të koronavirusit
Përveç fondeve rutinë, Shqipëria ka vendosur në dispozicion për përballimin e koronavirusit vetëm 400 milionë lekë, pak më shumë se 3 milionë euro, kur Kosova e cila ende nuk një rast të prekur ka vënë në dispozicion 10 milionë euro. Ndërkohë vendet e tjera më të mëdha kanë dhënë miliarda euro. Fondi rezervë në buxhetin e vitit 2020 është 1,7 miliardë lekë, ose rreth 15 milionë euro, teksa qeveria e ka konsumuar borxhin publik përtej planit normal për rikuperimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit.
Ministria e Financave parashikonte që diferenca ndërmjet shpenzimeve dhe të ardhurave buxhetore (deficiti) në vitin 2021 të ishte në nivelin e 22,5 miliardë lekëve. Por, pas pasojave që krijoi tërmeti i 26 nëntorit 2019, deficiti buxhetor për vitin 2021 arrin në 37 miliardë lekë, ose 15 miliardë lekë (122 mln euro) më shumë. Hapësirat për borxhin janë konsumuar për pasojat e tërmetit, por Ministria e Financave ka konfirmuar se do të veprohet në varësi të situatës.
Në vite të zakonshme, 300 mijë pacientë në spitalet shqiptare
Për vitin 2018, numri i shtrimeve për të gjithë spitalet ishte 296,183 pacientë, sipas të dhënave të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Për spitalet rajonale, numri i të shtruarve ishte 109,150 pacientë, për spitalet universitare 147,181 pacientë dhe për spitalet bashkiake, është 39,552 pacientë.
Numri i shtrimeve gjatë vitit 2018 për spitalet universitare rezulton i rritur me 4,465 shtrime më shumë krahasuar me vitin 2017. Në spitalet rajonale krahasuar me vitin e kaluar, vërehet se numri i shtrimeve për vitin 2018 ka rritje me rreth 5,022 shtrime më shumë.
Nga krahasimi i numrit të shtrimeve për spitalet bashkiake me vitin 2017, në vitin 2018 janë shtruar 2,427 pacientë më shumë se në vitin 2017. Për vitin 2018, 79% e shtrimeve në spitalet rajonale i zënë shtrimet nga urgjenca me 86,081 shtrime dhe 21.2% shtrime të planifikuara nga konsultat spitalore ose 22.093 shtrime.
Për spitalet bashkiake, 76.5% të shtrimeve e zënë shtrimet nga urgjenca. Shfrytëzimi i shtratit, si një indikator tepër i rëndësishëm i eficiencës spitalore paraqitet në nivele të ulura për disa spitale.
Sipas të dhënave në spitalet rajonale, 25.1% e pacientëve të dalë, kanë dalë të shëruar dhe në spitalet bashkiake 28.3% e pacientëve, kanë dalë të shëruar. Gjatë vitit 2018 rezulton të jenë kryer 1,640,330 vizita ambulatore në spitalet universitare, rajonale dhe bashkiake. Konkretisht: në spitalet universitare rezulton të jenë kryer 545,017 vizita ambulatorike, në spitalet rajonale janë kryer 752,513 vizita ambulatorike të specializuara për poliklinikat e këtyre spitaleve dhe në spitalet bashkiake janë kryer 342,800 vizita ambulatorike të specializuara.
Kostot Spitalore, 373 euro për pacient
Mesatarisht kostot spitalore në vitin 2018 për pacient ishin 373 euro sipas përllogaritjeve të Fondit të Sigurimit të Shëndetit. Në spitalet universitare, kosto për pacient është 46 mijë lekë, ose 373 euro për pacient, në spitalet rajonale është gjithashtu 46 mijë lekë për pacient, ndërsa në spitalet bashkiake, është 50 mijë lekë për pacient, për shkak të numrit më të ulët të shtrimeve se në spitalet rajonale. Kosto mesatare për ditë-qëndrimi në spitalet në nivel rajonal është 10 mijë lekë, në spitalet në nivel bashkiak është 11 mijë lekë dhe në spitalet në nivel universitar është 11.7 mijë lekë.
Pak mjekë
Shumë spitale rajonale kanë pajisje intubimi, por nuk kanë mjekë reanimatorë. Në tërësi, sistemi shëndetësor publik vuan nga numri i pamjaftueshëm i profesionistëve. Krahas mungesës së financimeve, mësohet se shkak për këto zhvillime është bërë edhe emigracioni i lartë i trupës shëndetësore jashtë vendit, sipas një analize të Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë Shqipëria ka numrin më të ulët të mjekëve për banorë në Europë. Të dhënat e OBSH-së i përkasin vitin 2016 (lexo këtu).
Por burimet nga Urdhëri i Mjekut pohuan se situata është përkeqësuar në vitet në vijim për shkak të emigracionit të lartë të trupës së re mjekësore. Të njëjtat burime kanë pohuar se katër vitet e fundit kanë emigruar më shumë se 800 mjekë nga vendi kryesisht në Gjermani.Rrjeti i kujdesit shëndetësor parësor konsiston në 413 qendra shëndetësore. Në Shqipëri funksionojnë 42 spitale publike. Megjithatë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, spitalet bashkiake ofrojnë me vështirësi shërbimet, kryesisht për arsye të mungesës së numrit të mjaftueshëm të mjekëve specialistë.
Spitalet universitare, të përqendruara në Tiranë, tërheqin një fluks pacientësh në rritje, për shkak të mungesës së shërbimeve në spitalet bashkiake e rajonale dhe anashkalimit ose mospërdorimit të sistemit të referimit.
Sipas një raporti të qeverisë shqiptare, emigrimi i specialistëve të shëndetësisë ka pakësuar burimet njerëzore për sistemin shëndetësor.
Pas viteve 1990, forcat e punës të sektorit të shëndetësisë humbën një numër të konsiderueshëm të burimeve njerëzore, të cilët migruan jashtë vendit. Edhe brenda vendit kanë ndodhur dhe po ndodhin lëvizje nga zonat rurale për ato urbane, duke krijuar një qasje gjithnjë të pabarabartë ndaj kujdesit shëndetësor për popullatën.
Për pasojë, numri i mjekëve për banorë është në nivelet më të ulëta në Europë. Migrimi i madh i brendshëm nga zonat rurale në zonat urbane ka ndikuar në keqkonfigurimin e rrjetit të ofruesve të kujdesit shëndetësor ndaj nevojave të popullsisë. Trupa mjekësore prej zonave rurale, sidomos të thella, ka lëvizur drejt zonave urbane.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al