Në të gjithë botën, virusi Covid-19 ka infektuar 160 mijë njerëz deri më tani dhe ka marrë jetët e 6500 prej tyre.
Në vendin tonë, koronavirusi i ri ka prekur deri më tani 42 persona, ndërsa pritet që numri i tyre të vijojë të rritet edhe më shumë.
Çfarë dimë për virusin tani?
Virusi Covid-19 është anëtar i familjes së koronaviruseve që kaloi nga kafshët te njerëzit në fund të vitit të kaluar. Shumë nga ata persona që u infektuan të parët, kishin punuar ose vizituar shpesh tregun në qendër të qytetit kinez të Wuhan-it.
Në mënyrë të pazakontë për një virus që ka bërë kalimin nga një specie në tjetrën, duket se Covid-19 transmetohet në mënyrë efektive te njerëzit. Vlerësimet e tanishme tregojnë se pa masa të forta kontrolli, personi që kap Covid-19 do ta kalojë atë te dy të tjerë, shkruan The Guardian.
Virusi gjithashtu duket se ka një shkallë më të lartë të vdekshmërisë sesa sëmundjet e zakonshme siç është gripi sezonal. Kombinimi i aftësisë së koronavirusit për t’u përhapur dhe për të shkaktuar sëmundje serioze ka bërë që shumë vende, të merren masa që synojnë kontrollimin dhe kufizimin e epidemisë.
Si mund ta mbroj veten dhe të tjerët?
Lani duart me sapun dhe ujë për të paktën 20 sekonda dhe bëjeni shpesh këtë, edhe kur jeni në shtëpi ose në punë. Përdorni xhel dezinfektant për pastrimin e duarve nëse nuk keni në dispozicion ujë dhe sapun, përshembull kur jeni në punë apo në rrugë.
Shmangni prekjen e fytyrës. Kur kolliteni ose teshtitni, vendosni përpara gojës bërrylin dhe jo duart ose përdorni një fasoletë dhe atë hidheni menjëherë në kosh.
A ka një kurë për Covid-19?
Jo për momentin, por ilaçet që dihet aktualisht se punojnë kundër disa viruseve janë duke u përdorur në Kinë, ku ka mijëra pacientë.
Më shpresëdhënës është Kaletra, i cili është një kombinim i dy ilaçeve anti-HIV, dhe remdesivir, i cili u provua por dështoi në pacientët me Ebola në Afrikën perëndimore në vitet 2013 dhe 2016. Disa mjekë kinezë po provojnë gjithashtu chloroquine, një ilaç antimalarial, i cili është pa patentë, pra i lirë dhe shumë i disponueshëm, dhe do të ishte shumë i dobishëm në vendet me të ardhura të ulëta. Rezultatet e para priten në mes të marsit dhe duhet të tregojnë nëse ilaçet të paktën do të ndihmojnë ata që janë më të sëmurët apo jo. Një kurë mrekullie nuk pritet.
Kur do dalë një vaksinë?
Përpjekjet për të zhvilluar një vaksinë efektive për Covid-19 janë krahasuar me epidemitë historike, siç është Ebola. Një numër skuadrash tashmë po testojnë kandidatët për vaksina tek kafshët dhe përgatiten të kryejnë teste të vogla dhe tek njerëzit. Kompania amerikane, Moderna Therapeutics, tashmë ka rekrutuar dhe shpreson të regjistrojë 45 vullnetarë midis moshave 18 dhe 55 vjeç dhe do të nisë deri në fund të prillit. Testet e fazës një si kjo do të shikojnë nëse vaksina shkakton një përgjigje imune dhe nëse doza e dhënë shkakton efekte të dëmshme. Sidoqoftë, fazat pasuese, të cilat do të përfshijnë mijëra vullnetarë dhe do të shikojnë më nga afër efikasitetin e tyre, do të zgjasin më shumë.
Pranë një kure në Hollandë
Lajmi më i fundit lidhur me kurat kundër koronavirusit ka ardhur nga Universiteti i Utrecht në Hollandë.
Siç shkruan thepatent, një ekip studiuesish ka identifikuar një antitrup që do të lejojë zhvillimin e një kure për koronavirusin në një kohë të shkurtër.
Bëhet fjalë për një antitrup monoklonal që quhet 47D11, i specializuar në njohjen dhe bllokimin e proteinave të përdorura nga virusi që sulmon qelizat e frymëmarrjes njerëzore.
Frenimi i këtyre proteinave do të thotë çarmatosjen e virusit, dhe kjo është “detyra” e antitrupave e zbuluar në Hollandë. Ky është sistemi më efektiv i trajtimit, pas vaksinës.
Antitrupi monoklonal lidhet me proteinën Spike që rrethon virusin dhe është në gjendje të depërtojë në qelizat e tjera, duke i penguar ato të bashkohen dhe duke bërë të pamundur shumimin e Covid-19 dhe përsëritjen e tij. Për këtë arsye, shkencëtarët mendojnë se “ilaçi” i ri ka potencialin “për trajtimin dhe parandalimin” e sëmundjes.
“Është një hap i parë premtues, por është shumë herët për të spekuluar mbi efektivitetin e mundshëm për njerëzit” – paralajmëroi Universiteti i Utrecht.
Studimi u krye në bashkëpunim mes Qendrës Mjekësore Erasmus dhe kompanisë bioteknologjike Harbour BioMed.
Studiuesit prezantuan rezultatet e testeve të para të kryera në laborator dhe sqaruan se antitrupi duhet të kalojë një fazë të gjatë testimi përpara se të mund të përdoret për të krijuar një kurë për miliona njerëz. Do të duhen muaj, me pak fjalë, para se ilaçi të jetë në dispozicion.
Studiuesit në Australi pranë kurës
Studiuesit në Brisbane thonë se ata janë gati për të gjetur një kurë për COVID-19, por kanë nevojë për donacione për të përshpejtuar studimin.
Siç shkruan 7news, në testimin laboratorik, dy ilaçe kanë ndalur koronavirusin dhe një provë klinike tek njerëzit është e gatshme për të filluar.
Profesori i njohur i Sëmundjeve Infektive, David Paterson i cili po mbikëqyr hulumtimin tha që ilaçet janë “efektive“, por ato akoma duhet të përcaktojnë nëse “njëri është më i mirë se tjetri”.
Ai shpreson që këto ilaçe janë ato që i duhen botës kaq shumë dëshpërimisht.
“Potencialisht është rrugës, është madje diçka që mund të përshkruajë një mjek i përgjithshëm,” tha Paterson.
Të dy ilaçet janë të sigurta për t’u përdorur në Australi, njëri trajton malarinë, tjetri HIV-in dhe në studimet në laborator, të dyja e vrasin në mënyrë efektive virusin.
Ilaçet u janë dhënë tashmë pacientëve të infektuar me COVID-19 jashtë vendit dhe në Australi me rezultate premtuese.
Kur u pyetën se sa afër një kure jemi, Paterson tha se ekziston “potenciali” që ky ilaç “të shërojë infeksionin”. Por pa prova njerëzore, këto ilaçe nuk mund të administrohen me siguri. Nëse eksperimenti është i suksesshëm, brenda tre muajve studiuesit duhet të dinë nëse këto ilaçe janë efektive në trajtimin e COVID-19 apo jo.
Eksperimenti mund të fillojë brenda disa javësh, por studiuesve u duhen 750,000 dollarë për ta financuar atë.
Fondacioni RBWH ka pranuar të gjejë paratë, duke nisur një fushatë donacionesh nga publiku.
“Nëse kemi një ilaç efektiv që mund të shërojë infeksionin, sigurisht që besojmë se do të shpëtojmë jetë,” tha Paterson.
VINI RE: Ky material mbështetet në artikujt e The Guardian, The Patent dhe 7 News