Aktorja me origjinë nga Ukraina, Olga Kurylenko, është infektuar nga virusi Covid-19 dhe po qëndron në izolim në shtëpinë e saj.
Kurylenko, e cila njihet për paraqitjen e saj në një nga filmat e James Bond, thotë se ka patur ethe dhe ndien shumë lodhje.
“E mbyllur në shtëpi pasi kam rezultuar pozitive për koronavirusin. Unë në fakt jam sëmurë për gati një javë”– shkroi ajo, duke i nxitur ndjekësit e saj të qëndrojnë vigjilentë.
“Kujdesuni për veten tuaj dhe merrni këtë seriozisht!”- shkruan ajo.
Aktorja ka treguar se ka marrë ilaçe për të lehtësuar ethet, dhe po pret që simptomat të veniten vetë, pasi aktualisht nuk ka një kurë për koronavirusin.
Kurylenko theksoi se përveç kësaj dhe marrjes së vitaminave, ka ngrënë shumë hudhër këto kohë dhe ka pirë ujë me limon.
Olga Kurylenko u bë e famshme për debutimin e saj në filmin e James Bond të vitit 2008 Quantum of Solace, dhe që atëherë luajti në shumë filma të tjerë të pëlqyer, përfshirë filmin fantastiko-shkencor, Oblivion të vitit 2013. Aktorja e cila është shtetase franceze që nga viti 2001, tani jeton në Londër me djalin e saj katër vjeç dhe të dashurin e saj, aktorin argjentinas Ben Cura.