Vendosni fjalën kyçe....

Koncesionet në shëndetësi dhe epidemia e virusit


Nga Klodian Tomorri

Koncesioni i Chek Up-it duhet riadresuar urgjentisht për të përballuar epideminë e virusit. Buxheti i ka paguar koncesionarit 8 milionë euro për analiza të pakryera gjatë 4 viteve të fundit. Për këtë vit kompanisë i janë caktuar edhe 7 milionë euro të tjera nga buxheti. Këto para duhet të shkojnë urgjentisht për të përballuar epideminë.

Mund të bëhet me rinegocim kontrate për ta adresuar koncesionin në funksion të luftës kundër epidemisë. Mund të bëhet me pezullim pagese për këtë vit dhe paratë të jepen për të fuqizuar kapacitetet e sistemit shëndetesor publik. Kjo pak rëndësi ka. Por ato para duhet të shkojnë për epideminë. Nuk ka sens që në këtë situatë të japësh 7 milionë euro nga buxheti për kontrolle mjekësore që nuk i hyjnë në punë askujt.

Së dyti, koncesioni i laboratorëve duhet të ngrijë. Ai koncesion do të marre 10 milionë euro këtë vit për të bërë analiza. Por analizat më emergjente që i duhen vendit tani, janë ato të koromavirusit. Edhe ky mund të riadresohet me negocim. Nëse kompania nuk pranon, atëherë qeveria mund të pezullojë kontratën në mënyrë të njëanshme dhe të hapë hetim penal për falsifikim në tender.

Njëra nga tre kompanitë e konsorciumit që fitoi koncesionin e laboratorëve ishte fantazmë dhe nuk ekzistonte fare. Kështu që, ky koncesioni paloset kollaj, edhe në arbitrazh madje. Çdo arsye që nuk e bëjmë dot se s’na le kontrata e koncesionit është justifikim për të vjedhur. Qeveritë më demokratike në botë nga Franca në Itali po shtetëzojnë kompani private duke marrë në kontroll prodhimin e maskave dhe pajisjeve shëndetësore, jo më kontratat koncesionare.

Janë 17 milionë euro, që do të shpëtonin me qindra jetë njerëzish. Nuk mund dhe nuk duhet të shpërdorohen në dy koncesione që i duhen vetëm koncesionarëve.

OBSH-ja tha sot se një nga dy instrumentet me efikas në luftën kundër koronavirusit është testimi agresiv i pacientëve, për t’i diktuar në kohë duke i izoluar dhe duke ndalur kështu zinxhirin e transmetimit të virusit.

Prandaj ato para duhet të vihen në funksion të këtij mekanizmi. Në të kundërtën, shteti ka dënuar njerëz me vdekje për të mos cënuar fitimet e koncesionarëve. Qeveria mund të dridhet sa të dojë. Por kjo është zgjedhje që duhet ta bejë me detyrim. I takon asaj të vendosë do ruajë jetët e njerëzve apo fitimet e koncesionarëve. Dhe sigurisht pas zgjedhjes vjen fatura.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *